Opinion

The Voice of festival… dhe dy fjalë për Albinën

The Voice of festival… dhe dy fjalë për Albinën

Nga Zefina Hasani/ Kur u ngjit në skenë për të marrë çmimin e dytë të jurisë së Festivalit, Albina Kelmendi tha: “Ok, jam mësuar me çmimin e dytë”. E kishte fjalën për garën që bëri pak vjet më parë në “The Voice of Albania”, ku doli e dyta pasi votat e fituesit të parë i mori rivali përballë saj, Aslaidon Zaimaj. Albina ishte atëherë në ekipin e Elsa Lilës, sepse edhe pse karriget e të katër trajnerëve u kthyen për të në audicionet e fshehura, ajo zgjodhi pikërisht atë, Elsën. Ishte ndër më të talentuarat e më të veçantat ndër konkurentët e atij edicioni të “The Voice”, jo vetëm prej zërit, potencialit, look-ut e karakterit por edhe prej historisë së familjes së saj. Ishte vajza që kishte studiuar klarinetën në shkollë, që kishte luajtur në atë që e quanin “Family band”, në dasma e evente të ndryshme familjare (kryesisht) e që në “The Voice” donte të niste një udhëtim të ri, si vokaliste.

Familja, ashtu siç dhe babai i Albinës e tha që atë natë në ekran, kur Albina u kthye tek ata, me fitoren e konkurentes së përzgjedhur, po synonin ta bënin këngëtaren e suksesshme të bandës muzikore që kishin krijuar. Ndërsa Alma, Genci, Sidriti në komentet e para që i bënë e mandej dhe Elsa Lila në gjithë trajnimin dhe edukimin muzikor që do t’i jepte përgjatë gjithë episodeve të “The Voice” po e projektonin si yllin e ri të muzikës së lehtë, muzikës moderne, e jo vetëm shqiptare. Larg ndikimit të muzikës popullore, të dasmave e eventeve që kishte ndjekur me familjen, por drejt të tjera rrymave e stileve muzikor.

Isha autore e “The Voice of Albania” në atë sezon ndaj e di mirë betejën që bëhej edhe brenda vetë Albinës dhe dy identiteve të saj, derisa gjithçka mbaroi e ajo do të shpallej fituesja e dytë e atij edicioni.

S’di si do t’i kishte shkuar filli më pas, nëse do të ishte shpallur fituesja e parë. Nëse do ta kishte ndjekur rrugën që i hapi “The Voice” apo do të kthehej menjëherë prap tek muzika e shtëpisë. Ajo që u pa ishte kjo e fundit. Ndoshta prej mërzisë e zhhënjimit, ju thye besimi se mund t’ja dilte mbanë tek bota e muzikës ndryshe nga ajo që e kishte mëkuar deri në atë moshë. Ndaj bëri një hap pas, drejt zonës së sigurtë. Nuk guxoi më të shfaqej me repertorin dhe arsenalin që mori në “The Voice”. Gjithë shfaqjet e saj të mëvonshme do të ishin me muzikën folk, ashtu hyri në treg, u evidentua fort (sidomos me Hajredin Pashën) derisa mbërriti dhe në festivalin e këtij viti. Ku prap erdhi e rrethuar nga familjarët dhe shijet e tyre. Fitoi. Jo votën e jurisë, por atë të publikut. Jo votën e Almës e Gencit… pra të trajnerëve që kthyen karriget me furi për të në “The Voice of Albania” ndërsa ajo këndonte “Something's got a hold on me” të Etta James, por të masës që votoi për të, të masës që po ngjitet çdo herë e më shumë pas muzikës që sjell Albina e të ngjashmit me të në festival dhe jo të asaj që sjell Elsa Lila e të ngjashmit me të. Ndaj Albina s’kishte si e pse ta ftonte në skenë e të falenderonte për rrugëtimin e saj Elsa Lilën (siç u kërkua nëpër statuse e komente) sepse i përkasin tashmë dy botëve krejt të largëta. Elsa ka zgjedhur prej kohësh t’i qëndrojë stoike artit elitar, ndërsa Albina ka hyrë në botën, rrugën drejt së cilës Elsa nuk do t’ia hapte dot në asnjë kohë.

A thua fitorja e Albinës përballë ish trajneres së saj, që dikur donte ta nxirrte nga tallavaja e folku, është një triumf i betejës mes dy llojeve të muzikës e të kulturës muzikore, që këtë herë u përballën më dukshëm se asnjëherë, ndërsa u gjendën përballë mjeshtrja dhe ish nxënësja e saj?!

Në social e online media u përfol gjatë se Albina, ose më saktë të themi, familja, bashkëshorti i saj mund të kenë blerë një shumë të konsiderueshme kartash e si rrjedhim edhe votash. Edhe këtu ndahen me gati si me thikë parimet: Elsës as që i shkon ndër mend ta bëjë këtë, familjes së Albinës mundet që po. Por s’ja vlen të tirret gjatë ky argument sepse më shumë se tek fuqia e votave të blera besoj tek euforia e kosovarëve që zakonisht votojnë kur kanë një prej të tyrëve në konkurim. Dhe këtë herë Albina e kishte fituar me kohë zemrën e tyre, në gjithë daljet e fundit e sigurisht dhe me këtë lloj kënge në e festival.

Nëse masës i jep këngë të thjeshta, ritmike, folklorike në festival, ajo do ta votojë për të dhe kjo s’ka më pikë dyshimi.

Duke njohur kohën ku jetojmë s’është e vështirë të besojmë që Albina e ka fituar me vota korrekte këtë çmim. Ajo po gëzon sepse e ka pasur të qartë që pas mbarimit të “The Voice of Albania”, (ku s’fitoi e s’u bë dot ashtu si po përpiqej ta formatonte Elsa) se vetëm me folkun e shtëpisë ku u rrit, do të mund të çante në këtë treg. E të fitojë edhe një festival ku pati shansin që këtë herë çmimi t’i lihej i gjithi në dorë publikut. U siguruan me lekë, me fushata apo me patriotizëm pak rëndësi ka. Kur popullit i lihet të zgjedhë siç ai di vetë.