Opinion

Takimi 15 minutësh i Barack Obamës me Mikhail Gorbaçov dhe sytë e zhgënjyer në fund

I fortë edhe pse i përbuzur në vendin e vet, një personazh që dukej çuditërisht tragjik. Këto janë disa nga pështypjet e Barack Obamës pas takimit në Moskë, në vitin 2009 me Mikhail Gorbaçov. Nga përshkrimi për së jashtmi dhe njollën e kuqe të lindjes, deri në karakterin e ish-liderit sovjetik e detajet nga takimi, Obama ka shkruar në librin e tij “Tokë e Premtuar”. Një pasazh e kemi shkëputur më poshtë.

Takimi 15 minutësh i Barack Obamës me Mikhail Gorbaçov dhe

Vladimir Putinin e takova për herë të parë të nesërmen në mëngjes, kur e vizitova në daçën e tij, në rrethinat jashtë Moskës. Bashkë me mua ishin dhe ekspertët tanë për Rusinë, Majk MekFoli, Bill Bërnsi dhe Xhim Xhonsi. Bërnsi kishte patur rast të takohej edhe më parë me Putinin, ndaj më këshilloi të kujdesesha që për fjalët hyrëse t’i bija shkurt. “Putini është mjaft i ndjeshëm ndaj shpërfilljeve më të vogla” tha Bërnsi, “dhe, në mendjen e tij, ai është udhëheqës shteti më i vjetër. Ndoshta, mund ta hapni takimin duke e pyetur se çfarë mendimi ka për marrëdhëniet SHBA-Rusi, për t’i dhënë mundësinë të shprehë ndonjë merak që në fillim.”

Pasi u futëm në një portë madhështore dhe përshkuam një rruginë të gjatë, ndaluam para një ndërtese të madhe, ku na priti vetë Putini, për fotografitë e rastit. Nga fiziku, nuk të linte ndonjë përshtypje kushedi se çfarë: i shkurtër dhe i ngjeshur - trupi i një mundësi - me flokë të rralluar, me ngjyrë të çelët, me sy të bardhë dhe mjaft të vëmendshëm dhe një hundë që binte në sy. Ndërsa po shkëmbenim përshëndetjet midis dy delegacioneve, më ra në sy lirshmëria e veprimeve të tij, një shpërfillje e sprovuar në zërin e tij, që tregonte për dikë që qe mësuar të rrethohej nga vartës dhe njerëz që i luteshin. Dikush që qe mësuar me pushtetin.

Shoqëruar nga Sergei Lavrovi, ministri i Jashtëm i Rusisë dhe ish-përfaqësues pranë Kombeve të Bashkuara, mjaft i njerëzishëm, Putini na drejtoi në një verandë të madhe, ku, për nderin tonë, qe shtruar një banket i bollshëm, me vezë e havjar, disa lloje bukësh dhe çajrash, që shërbeheshin nga kamerierë meshkuj, me veshje tradicionale fshatare dhe çizme të gjata lëkure. E falënderova Putinin për mikpritjen, vura në dukje progresin që kishin bërë vendet tona me marrëveshjet e arritura një ditë më parë dhe e pyeta për vlerësimin e tij për marrëdhëniet SHBA-Rusi gjatë kohës si kreu i shtetit.

Bërnsi nuk kishte bërë aspak shaka kur më kishte thënë se Putini kishte nevojë të zbrazej. Nuk e kisha mbaruar mirë pyetjen, kur Putini u lëshua në një monolog të gjallë dhe, në dukje, të pambarimtë, ku përshkroi çdo padrejtësi, çdo pabesi dhe mospërfillje që ai dhe populli rus paskëshin vuajtur nga dora e amerikanëve. Ai personalisht e pëlqente presidentin Bush dhe e kishte kontaktuar menjëherë pas 11 Shtatorit, për t’u solidarizuar dhe për të ofruar shkëmbimin e informacionit të inteligjencës në luftën kundër armikut të përbashkët. Ai kishte ndihmuar Shtetet e Bashkuara të siguronin baza ajrore në Kirgizstan dhe Uzbekistan për fushatën ushtarake në Afganistan. Ai, madje, kishte ofruar ndihmën e Rusisë edhe për problemin e Sadam Huseinit.

E ku i kishte mbetur qejfi? Në vend që t’u vinte veshin paralajmërimeve të tij, Bushi kishte sulmuar Irakun, duke destabilizuar gjithë Lindjen e Mesme. Vendimi i SHBA, shtatë vjet më parë, për të dalë nga Traktati kundër Raketave Balistike dhe planet për të vendosur sisteme të mbrojtjes raketore pranë kufijve të Rusisë vijonin të ishin shkak për mungesën e stabilitetit strategjik. Pranimi në NATO i ish-vendeve të Traktatit të Varshavës, gjatë kohës së administratave të Klintonit dhe Bushit, përbënte shkelje të “sferës së influencës” së Rusisë, ndërsa mbështetja e Shteteve të Bashkuara për revolucionet “me ngjyra” në Gjeorgji, Ukrainë dhe Kirgizstan - nën petkun e “promovimit të demokracisë” - i kishte kthyer fqinjët, dikur miqësorë, në qeveri armiqësore me Moskën. Sipas Putinit, amerikanët ishin treguar arrogantë, mospërfillës, pa vullnet për ta trajtuar Rusinë si një partner të barabartë dhe, në vijimësi, përpiqeshin të diktonin kushtet e tyre për pjesën tjetër të botës - dhe gjithë sa më sipër, tha ai, ia bënin të vështirë të ishte optimist për të ardhmen e marrëdhënieve tona.

Pas afro tridhjetë minutash të atij takimi, që duhet të ishte njëorësh, bashkëpunëtorët e mi filluan t’u hidhnin vjedhurazi ndonjë shikim orëve të tyre të dorës. Por unë vendosa të mos e ndërprisja Putinin. Dukej qartë që ai e kishte përgatitur gjithë atë fjalim, por ndjesia e tij e të qenit i brengosur ishte e vërtetë. Po ashtu, e dija se progresi i mëtejshëm me Medvjedevin varej nga durimi im me Putinin. Pas afro 45 minutash, më në fund, Putinit, me sa u duk, i mbaruan fjalët dhe unë, në vend që t’i përmbahesha kohës së paracaktuar të takimit, fillova t’u jepja përgjigje një për një të gjitha pikave që ai kishte përmendur. I rikujtova se unë, personalisht, e kisha kundërshtuar sulmin ndaj Irakut, por njëkohësisht, kundërshtoja edhe veprimet e Rusisë në Gjeorgji, ngaqë besoja se çdo vend kishte të drejtë të përcaktonte vetë aleancat dhe marrëdhëniet ekonomike, pa ndërhyrje nga të tjerët. Hodha poshtë idenë se një sistem i kufizuar i mbrojtjes raketore, i ngritur për t’u mbrojtur nga raketat që mund të lëshonte Irani, mund të kishte ndonjë efekt ndaj sistemeve të fuqishme bërthamore të Rusisë, por përmenda dhe planin tim për të kryer një analizë përpara se të vijonim me hapa të mëtejshëm për mbrojtjen raketore në Europë. Në lidhje me propozimin tonë për të ashtuquajturin “reset”, shpjegova se synimi nuk qe të zgjidhnim gjithë kundërshtitë që kishim mes dy vendeve, por të tejkalonim modelin e Luftës së Ftohtë dhe të vendosnim marrëdhënie realiste, të matura, që të mund t’i menaxhonim ato diferenca dhe të punonim për ata interesa që i kishim të përbashkëta.

Në ndonjë moment, bashkëbisedimi u bë më i tensionuar, veçanërisht në lidhje me Iranin. Putini i kundërshtoi shqetësimet e mia për programin bërthamor të Iranit dhe u nxeh shumë nga kërkesa ime që ai të ndalonte një shitje të planifikuar të sistemeve raketore të fuqishme ruse tokë-ajër S-300 te regjimi i Iranit. Ai u shpreh se ato sisteme raketore ishin vetëm mbrojtëse, duke shtuar se mohimi i një kontrate, me vlerë 800 milionë dollarë, do të vinte në rrezik si bilancin, ashtu edhe emrin e prodhuesve rusë të armëve. Por, në pjesën më të madhe të kohës, ai më dëgjoi me kujdes dhe, në fund të takimit, që u kthye në një maratonë dyorëshe, ai u shpreh i hapur, për të mos thënë entuziast, për përpjekjen për “reset”.

- Natyrisht, në të gjitha këto pika, duhet të punosh me Dmitrin, - më tha Putini, ndërsa po më përcillte për te makinat. - Këto janë vendime që i takojnë atij tashmë.

Sytë tanë u takuan, ndërkohë që shtrënguam duart, duke e ditur, të dy, se ajo që sapo kishte thënë qe e pabesueshme, por për momentin, të paktën, ishte maksimumi i mbështetjes që do të merrja nga ai.

Takimi me Putinin e shkatërroi krejt programin vijues të ditës. Ne nxituam për në Moskë, ku, në një ceremoni diplomimi, duhej të mbaja një fjalim para të rinjve rusë, me sytë plot shkëlqim, që kishin përfunduar studimet për biznes ndërkombëtar dhe financë. Pak përpara se të dilja në foltore, në dhomën e përgatitjes, pata një takim të shpejtë me ish-udhëheqësin sovjetik Mihail Gorbaçov. 78 vjeç dhe ende i fortë, me shenjën e kuqe qysh nga lindja, mbi ballë, ai më la përshtypjen e një personazhi çuditërisht tragjik. Ja ku ishte një njeri, që dikur kishte qenë një nga njerëzit më të fuqishëm mbi Tokë, nuhatja e të cilit për reforma dhe përpjekjet e tij për eliminimin e armëve bërthamore - pa rëndësi sa të suksesshme - kishin sjellë një sërë transformimesh legjendare globale dhe i dhanë atij Çmimin Nobel për Paqen. Tani ai gjendej i përbuzur në vendin e vet, nga shumica, dhe nga të dyja palët, si nga ata që mendonin se ai ishte dorëzuar ndaj Perëndimit, ashtu edhe nga ata që e quanin mbeturinë të komunizmit, të cilit i kishte kaluar koha. Gorbaçovi më tha se ai ishte mjaft entuziast për një “reset” dhe për propozimin tim për një botë pa armë bërthamore. Por pas pesëmbëdhjetë minutash m’u desh ta ndërprisja takimin, se më duhej të mbaja fjalimin tim. Megjithëse ai më tha se e kuptonte, unë e dallova se u ndie i zhgënjyer - një kujtesë për të dy ne, për natyrën kalimtare e të paqëndrueshme të figurës publike.

Më tej, dita vijoi me një drekë të shkurtër në Kremlin, me Medvjedevin, në një sallë plot me personazhe të rëndësishme, e ndjekur nga një tryezë e rrumbullakët me drejtues biznesesh amerikane dhe ruse, ku shkëmbyem formulat e zakonshme për bashkëpunim më të madh ekonomik. Në kohën kur mbërrita në takimin me drejtuesit e shoqërisë civile, rusë dhe amerikanë, takim të cilin e kishte organizuar MekFoli, fillova të ndiej lodhjen nga ndryshimi i orës. Isha më se i kënaqur të zija një vend, të merrja pak veten dhe të dëgjoja ata që po flisnin përpara meje.

*Shkëputur nga libri i Barack Obamës ‘Tokë e premtuar’, përzgjedhur nga editori i Tiranapost.al