Opinion

Shenja e palexuar kineze

Është tashmë postulat se politika e jashtme e vendit nuk mund të jetë e shkëputur prej asaj të brendshme. Nuk ekzistojnë dy Shqipëri, njëra për konsum të jashtëm e tjetra për atë të brendshëm.

Shenja e palexuar kineze

Nga Veton Surroi/ Presidenti amerikan Kennedy citohet të ketë thënë se fjala kineze për krizë përbëhet prej dy shenjave, njëra rrezik e tjetra shans. Ky shpjegim kështu hyri pastaj në shumë fjalime e shkrime deri në ditët e sotme, si ajo puna e ‘mos pyet çka mund të bëjë atdheu për ty...’.

Doli që të mos jetë krejtësisht e vërtetë, sipas gjuhëtarëve, sepse në fakt njëra shenjë ishte me të vërtetë rrezik, kurse tjetra ‘pikë kthese’, e jo drejtpërsëdrejti ‘shans’.

Tej tëhollimit, besoj se hyn në punë edhe në formulimin e vet të saktë gjuhësor, pra se kriza ka rreziqet e veta me efektet dëmtuese dhe njëkohësisht sido të tejkalohet paraqet pikë kthese.

Shqipëria prej vitit 2020 është kryesuesja në detyrë e një organizate, OSBE, e cila ka pothuajse përshkrim të vetin fjalën kineze; pra, si të merret me kriza dhe rreziqet e tyre në kontinentin evropian dhe njëkohësisht si të krijojë mundësi që nga këto kriza të krijohet një pikë kthese.

Kur e mori kryesimin, Shqipëria trashëgoi njërën prej krizave më të mëdha evropiane, de facto okupimin e një pjese të Ukrainës nga ana e Rusisë. Nuk besoj të ketë pasur iluzione, qoftë në Tiranë, qoftë gjetiu, se Shqipëria si kryesuese e radhës do të ndërmjetësonte konfliktin dhe do të gjente rrugë pajtimi mes Ukrainës e Rusisë. Në politikë të jashtme - e besa edhe në të brendshme - Rusia njeh formulimin ‘raporti i forcave’ si raport i forcave fizike, sikur në pyetjen e famshme që bëri Stalini për të diskutuar forcën e Papës në botë: ‘Sa divizione tankesh ka në dispozicion?’. Nga ky këndvështrim, roli eventual historik i Shqipërisë në krizën e Ukrainës është i vlefshëm vetëm për barcoleta.

2.

Megjithatë, pa marrë parasysh forcën e shtetit, kryesuesi i radhës i OSBE-së bën atë që bëri parapraku dhe në masë të madhe atë që do të bëjë i ardhshmi, e kjo është t’i mbajë të gjalla konceptet e misioneve paqeruajtëse - a parandaluese të konfliktit, sido të quhen - derisa të gjendet pjesa e dytë e ekuacionit kinez, derisa të gjendet pika e kthesës. Dhe, këtë vit kryeministri Rama e filloi duke vizituar Ukrainën Lindore, duke lëvduar si arritje të madhe rinovimin e urës te Stanica Luhanska, një vend deri dje i harruar nga Zoti, e me gjasa të vogla që të kthehet në kujtimin e Tij.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, kryeministri i Shqipërisë, në rolin e kryesuesit të radhës së OSBE-së, duhej ta gjente veten duke u konsultuar me kryeministra e diplomatë evropianë, përfshirë rusët, dhe të ishte i pranishëm fizikisht në një vend i cili njihet shumë më tepër se ajo urë e harruar e Ukrainës Lindore dhe ku prania e tij mund të kishte efekt. Duhej të ishte në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, ku prej dhjetë ditësh po ndodhë shthurja e një autokracie, pas zgjedhjeve presidenciale që për shumicën demonstruese të popullatës konsiderohen jolegjitime. Pas një deklarate formale për shtyp të lëshuar më 10 gusht, ku kërkohej respektimi i standardeve të OSBE-së për zgjedhje, kryesuesi në detyrë i OSBE-së duhej të udhëtonte në Minsk për të trajtuar një ngjarje të përsëritur, pra një palë zgjedhjesh që nuk kanë legalitet apo legjitimitet, e që kontestohen nëpërmjet demonstratave popullore.

Në tridhjetë vjetët e fundit ka qenë lista e gjatë e ngjarjeve të ngjashme dhe ndër reagimet e para, paralajmërues të brengës ndërkombëtare, ka qenë e ashtuquajtura Trojka, Treshja e OSBE-së e përbërë nga kryesuesi në detyrë, ai i mëparshmi dhe i ardhmi. Në Minsk, pra, gjatë kësaj jave do të duhej të ishin kryeministri i Shqipërisë (a ministri i jashtëm, si zakonisht) dhe homologët e Sllovakisë dhe Suedisë.

Misioni i tyre do të duhej të ishte që nëpërmjet të përkrahjes të të drejtave fundamentale, përfshirë edhe ato të protestës, të krijojnë mundësinë që kjo krizë e Bjellorusisë të shndërrohej në pikë kthese për demokraci. Pra, që nëpërmjet një marrëveshjeje mes pushtetit dhe opozitës, të ndihmuar nga treshja e OSBE-së, anëtare e së cilës është edhe Bjellorusia, të krijohet një rrugëdalje paqësore e demokratike.

Në vend të një iniciative të këtillë politike, Shqipëria u vetëmjaftua me një deklaratë shtypi, të asaj tipike, ‘jemi të brengosur’, ‘respektoni të drejtat e njeriut dhe standardet e OSBE-së’, e kështu me radhë.

3.

Kriza bjelloruse do ta gjejë rrugën e zgjidhjes dhe në fund, kur të bëhet vlerësimi i sjelljes së akterëve ndërkombëtarë, mund të ngjajë që të shënohet mungesa e veprimeve të Shqipërisë. Vendi ka të ngjarë të mbahet mend sikur lojtari i futbollit që e lut trajnerin ta fusë në lojë, por kur më në fund i përmbushet dëshira ai e kalon lojën duke ikur nga topi. Shqipëria fitoi jashtëzakonisht shumë në fushën diplomatike me suksesin e arritur që të marrë përkrahjen e vendeve të mëdha e të vogla për ta marrë kryesimin njëvjeçar të OSBE-së. Tash ka gjasa që ta meritojë zhgënjimin e një komuniteti të gjerë shtetesh të mëdha e të vogla që vunë në sprovë pozitive një Shqipëri që atëbotë projektonte vetëbesim, kreativitet dhe humbje të kompleksit të inferioritetit.

Kjo është njëra anë e efektit negativ që do të pësojë vendi. Ana tjetër është pyetja e thjeshtë të përsesë së ‘ikjes nga topi’. Dhe ja tri përgjigje të thjeshta. Një, kryesimi i OSBE-së nxjerr natyrshëm në pah diplomacinë e një vendi e Shqipëria mbeti pa ministër të jashtëm para se ta merrte kryesimin dhe ende nuk e ka gjetur atë. Dy, Shqipëria edhe vetë ka kriza, madje ciklike, rreth zgjedhjeve dhe gjendet në një të këtillë edhe sot. Është vështirë të shkosh e të predikosh për zgjedhje legjitime në Bjellorusi, ndërsa vetë vendi kushtëzohet nga Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë për t’i mbajtur ato. Dhe tre, Shqipëria nuk ka arritur të krijojë një kohezion funksional mes pushtetit e opozitës. Është vështirë të shkosh në Minsk, apo madje edhe në Prishtinë, e të thuash se si të gjitha forcat politike duhet të bashkohen rreth disa parimeve për të mirën e shtetit, por këtë nuk mund ta bësh brenda Shqipërisë.

Thjesht, është tashmë postulat se politika e jashtme e vendit nuk mund të jetë e shkëputur prej asaj të brendshme. Nuk ekzistojnë dy Shqipëri, njëra për konsum të jashtëm e tjetra për atë të brendshëm.

4.

Është mëkat humbja e rastit për avancimin e namit të vendit. Në OSBE kjo bëhet me shfrytëzimin e fjalës kineze për krizë, të asaj që përmban në njërën anë vështirësitë dhe në anën tjetër pikën e kthesës për dalje nga këto vështirësi.

Ndoshta, çuditërisht, ky shans që po humbet shtyn që Shqipëria të kuptojë se ka nevojë për pikën e vet të kthesës.