Opinion

Shëngjini Velipoja, Ulqini dhe Budva duhet të ndërlidhen bashkë për të ardhmen turistike

Shëngjini Velipoja, Ulqini dhe Budva duhet të ndërlidhen

Ditmir Bushati ka postuar një shënim për mbledhjen e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ish ministri i Jashtëm vë në pah disa faktorë që dy vendet tona fqinje që i bashkon Adriatiku kanë mundësi për më shumë sidomos në turizëm.

Në shembullin e shkëlqyer të fqinjësisë së mirë që gëzojnë Shqipëria dhe Mali i Zi, por nisur edhe nga rezultatet konkrete të mbledhjeve të përbashkëta me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë, mbledhja e dytë e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, që vjen pas asaj që u mbajt në #Shkodër më 3 Korrik 2018, përbën një zhvillim pozitiv për trajtimin ndërdisiplinor të çështjeve të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

Shqipëria dhe Mali i Zi i përkasin të njëjtës hapësirë Adriatike të sigurisë. Bashkëveprimi në NATO dhe ecuria në kuadër të anëtarësimit në BE, i bën dy vendet tona kontributore të drejtpërdrejta në sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të Europës Adriatike.

Si dy vende fqinje me potenciale të panumërta, por njëkohësisht me tregje të vogla e afërsi kulturore, bashkëpunimi duhet të orientohet drejt perspektivës së përbashkët zhvillimore. Kështu, hapësira Adriatike nga një hapësirë e sigurisë dhe e bashkëpunimit politik mund të kthehet në hapësirë zhvillimore, me pjesëmarrjen edhe të vendeve anëtare të BE-së, pjesë e Europës Adriatike.

Hapësira e përbashkët ndërkufitare është në fakt pasuri e madhe. Në këtë hapësirë kryqëzohen pasuritë tona të shumta ujore e natyrore, potencialet njerëzore, dhe trashëgimia unike kulturore: të tria këto meritojnë më shumë vëmendje në kuadër të strategjive të përbashkëta dypalëshe, por dhe në kuadër të vizionit për transformimin ekonomik të rajonit dhe ndërlidhjes moderne me BE-në.

Mundësitë tona të ndërlidhjes infrastrukturore janë të shumta. Ato duhen mbështetur financiarisht. Shëngjini, Velipoja, Ulqini e Budva duhet të ndërlidhen për ta kthyer bregdetin e Adriatikut në një brez zhvillimi e atraksioni turistik. Alpet tona, të kthyera tashmë në një destinacion të njohur ndërkombëtarisht, janë pasuri të cilat përbëjnë dhe një potencial të pashfrytëzuar zhvillimor për të dy vendet. Dhe së fundi hapësira e Liqenit të Shkodrës, e cila i jep jetë qyteteve e komuniteteve të vendeve tona në të dy anët e kufirit.

Angazhimet për të bërë të mundur lundrimin në lumin Buna duke përfshirë në një ofertë të përbashkët turistike edhe komunitetet e vendbanimeve përgjatë lumit do ta kthente këtë hapësirë në një degëzim të rëndësishëm turistik e zhvillimor mes dy vendeve dhe të gjithë rajonit.

Përpjekjet për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë në epiqendër nxitjen e lidhjeve të shumëfishta dhe mirëqenies e përparimit të dy popujve tanë. Në këtë kontekst, Shqiptarët në Mal të Zi dhe Malazezët në Shqipëri janë dy segmente bashkuese që çimentojnë miqësinë dhe orientojnë ndërveprimin e ngushtë mes nesh”, shkruan Bushati.