Opinion

Pse kënga e Capital T (s') më bëri të ndihem mirë

Pse kënga e Capital T (s') më bëri të ndihem mirë

Nga Albatros Rexhaj/ Nuk mund ta di nëse kënga vërtet i ka afër 2 milion klikime në Youtube, por, me ose pa ato klikime, kënga “C’est la Vie” është një këngë që lehtë të bën për vete. Kjo këngë e ri konfirmon se Capital T pa dyshim është një nga këngëtarët më të mirë të muzikës së popullarizuar shqiptare, por po ashtu e tregon se, si këngëtar, Capital T, në shumëçka, është e kundërta e arrogancës dhe prepotencës që karakterizon shumë nga kolegët e tij. Edhe pse nuk jam ithtar i madh i zhanrit, me butësinë që shtrihet mes notash, kënga “C’est la Vie” e gjen rrugën e vet te shumë prej nesh që krenarinë e vet e vendosin mbi ndjenjat e fuqishme që u shpërthejnë nga brenda. Kur kënga ka dashuri brenda vetes, e dashuria asnjëherë nuk është prepotente, është fare e lehtë që kënga ta gjejë rrugën deri te dëgjuesi, ashtu siç ka ndodhur edhe me këtë këngë.

Sidoqoftë, përkundër ndjesisë së këndshme që më jep kënga, nuk ndihem mirë kur artisti përdor fjalë si “ondrra”, “kom”, “thon” apo “kon”, sepse përdorimi i “andrra”, “kam”, “thanë” dhe “kanë”, si trajta të drejta të dialektit verior, vetëm sa do e theksonin anën poetike të vargjeve të këngës. Por, po ashtu jam i vetëdijshëm, si ky shtrembërimi gjuhës tashmë ka lëshuar rrënjë gjithandej. Nëse dje duhej që standardin e gjuhës ta mbronim nga ndikimet dialektore, kam frikë se sot duhet ta mbrojmë edhe vetë dialektin pikërisht nga ata që thirren në të. Gjithsesi, dhe këtë duhet thënë, ky digresion gjuhësor nuk ka ndonjë ndikim në vlerat e përgjithshme të këngës.

Dy fjalë edhe për video-klipin. Mendoj që thjeshtësia në koncept, përkatësisht vendosja e theksit te elementet e buta të bukurisë fizike të dy personazheve, i jep shtratin e nevojshëm kuptimor rrëfimit romantik që shtrihet brenda këngës. Nga biseda me miq, ato ditët para publikimit të klipit pasi që u kuptua se Adrola Dushi do të prezantonte si protagoniste, ekziston një kërshëri për skena të nxehta dhe vendosje të theksit regjisorial mbi pjesën mekanike të bukurisë së protagonistëve. Koncepti i butë regjisorial i video klipit të këngës “C’est la Vie” ka mundur të zhgënjejë voajerët e ndryshëm, por pa dyshim që i ka bërë të ndihen mirë të gjithë adhuruesit e muzikës. Te ky klip, Adrola ka përçuar të gjitha ato finesa dhe cilësi të sajat, që të gjitha maja të veçanta të bukurisë së butë, që me vite të tëra magjepsin një popull të tërë. Shqiptarët e kanë dalluar Adrolën për fizikun e saj të bukur, por tashmë e duan për atë të bukurën e brendshme që ajo e përçon me sy e me buzëqeshje dhe që regjisori i këtij klipi ka ditur t’i kapitalizojë.

Pa asnjë mëdyshje, këtë këngë bashkë më video-klip, ua rekomandoj të gjithëve. Në këtë ditë të vështira, që na kanë pllakosur, të mendojmë për jetën, në një dimension tjetër përtej Covidit dhe dhimbjeve e mërzisë që ka sjell në jetën tonë.
C’est la Vie, për mua jeta është dashuri! Normal, kur e ke (jo kur e ki)? dhe vërtet lum ata që e kanë!

Klipi për ata që s`e kanë parë: