Opinion

Pse guxoj të them se Bashkimi i PD-së nuk ka vlerë

Barbara Doda, një nga aktivistet e forumit rinor demokratik, arkitektja që ka rënë shpesh në sy në debate televizive, ka bërë një analizë për një nga pyetjet e shpeshta këto kohë, Bashkimin e PD-së. Ajo mendon se bashkimi nuk është i sinqertë dhe sot për sot as nuk i shërben më unitetit dhe të ardhmes së PD-së. Lexoni argumentet e saj

Pse guxoj të them se Bashkimi i PD-së nuk ka vlerë

Nga Barbara Doda/ PD-në e bashkon hipokrizia. Ndarja dhe bashkimi jonë ka qenë në qendër të vëmendjes përgjatë këtij viti. Personalisht i përkas atyre që ndarjen nuk e kanë patur problem, madje kam besuar që ishte dhe natyrale, sepse në pikën ku ishim, kishim më shumë vlera që na ndanin se na bashkonin. Pas pothuajse një viti, mendoj njësoj. PD-ja nuk më bind dot për të kundërtën.

Unë e kuptoj që në afatshkurtër bashkimi duket si hapi i duhur, por ju premtoj që në afatgjatë nuk është. Imagjinoni për një moment që u bashkuam. E zemë se erdhi prilli dhe jemi në Elbasan. Në fushatë del kandidati për Bashkinë e Elbasanit dhe e mbështet deputeti i zonës, Gazment Bardhi.

Spoti elektoral i PS-së do hapet me deklaratën e Gaz Bardhit: "Në seli po bëhen punime!". Pas kësaj do jepen direkt ngjarjet e 8 janarit. Gjasat janë që kandidati për Bashkinë e Elbasanit do ketë qenë atë ditë jashtë selisë dhe kamerat do e kenë fokusuar në një moment duke ngrënë gaz, që vinte nga Gazi brenda.

Pastaj do i shihni së bashku në terren. Me shumë mundësi do e kenë harruar të dy 8 janarin. Unë si anëtare e PD-së do ndihem keq, por sdo ta kisha për herë të parë, ndoshta për hatër të partisë do dilja dhe përtëj kësaj situate.

Por si mendoni ju që do ndihet dikush që ska lidhje me PD-në?! I neveritur.

Si mendoni që do dukemi ne, demokratët?! Hipokritë.

Si mendoni që do bëjmë fushatë bashkë?! Pa dinjitet.

Kjo është ajo që duam ne? Kështu duam të shfaqemi ne? Kaq shpejt harrojme në? Po për cfarë u lodhëm ne? Për cfarë vlerash luftuam ne? Që brenda një viti të kthehemi aty ku ishim?!

Unë e di që ndoshta kjo s'ju pëlqen të gjithëve, ndoshta shumica do bashkim. Por kini guxim! Nuk kemi pse kthehemi mbrapa. Nuk kemi pse qëndrojmë peng i një debati nëse duhet të bashkohemi apo duhet të ndahemi. Kjo punë është ë ndarë tashmë.

Kam vetë miq që janë pjesë e grupimit të Bashës. Edhe unë do doja të ishim pjesë e të njëjtit ekip, por ka mbi një vit që s'jemi dhe prap i kam miq, prap flas me ta, prap bashkëpunoj me ta. Por bashkimi që ofron PD-ja është i sforcuar dhe nuk na shkon. Bashkimi që ofron PD-ja mund të jetë unifikim por jo unitet, sepse është i pavërtetë, është i pasinqertë.

Askush nuk ka marrë përsipër asgjë, askush s'ju ka kërkuar falje demokratëve për cka ka ndodhur në PD. Si doni të na bashkoni kështu?!

Ah, po! I di dy raste të freskëta ku PD-ja është bashkuar natyralisht. I pari ishte kur u shemb pishina e resortit "Prestige" të z. Hysenbelliu. U turrën deputetët e Bashës dhe Berishës me fjalime e shkrime dhe për cudi ishin në të njëjtën linjë, a thua se kishin dalë nga e njëjta seli.

Bashkimi i fundit i përket këtyre ditëve. Kolegut të tyre i është mbyllur biznesi. Madje kolegut të tyre më të pasur, që nuk i është dashur mandati i deputetit për të vënë pasurinë e tij, madje mandati i deputetit spo i shërben as për ta ruajtur këtë pasuri. Agron Shehaj po sulmohet politikisht nga Edi Rama. Cdo ditë z. Shehaj po vërteton që ky sulm është pa baza. Rama nga ana tjetër, nuk ka frikë të tregojë që është sulm i pastër politik. Ai pretendon që biznesi i z. Shehaj ndodhet në një ndërtim pa leje. E para z. Rama ka 9 vite kryeministër dhe ka qenë 12 vite kryetar bashkie. Pse ka lejuar ai një ndërtim pa leje? E dyta, nëse ndërtimi është pa leje, a nuk duhet të ishte z. Rama në konflikt me pronarin dhe jo me biznesin e z. Shehaj?

Deputët e Bashës dhe Berishës u bashkuan përsëri. Por kësaj rradhe nuk shkuan të gjithë te zyrat e Agronit sic shkuan te pishina e Irfanit. Madje dhe shkrimet dhe fjalimet si kanë të njëjta. Kësaj rradhe janë një hap më para. Nuk kanë as shkrime e as fjalime!

Pra koha na ka treguar se ne nuk kemi nevojë të bashkohemi forcërisht. Nuk ka nevojë të na bashkojnë tani shpejt e shpejt. Ne na bashkon hipokrizia. Te Irfani duke mbrojtur shkeljen, te Agroni duke heshtur ndaj shkeljes.

Por ka në PD njerëz që e duan atë. Mos na detyroni të heqim dorë nga dashuria për të. Mos na detyroni të bëhemi hipokritë. Ka mjaftueshëm në treg. Le të ecim para e të bëjmë politikë sic duam dhe sic duhet. Mos na impononi kushte dhe ide që do e cojnë PD-në mbrapa.

PD-ja duhet të eci përpara. Momentalisht jemi të ndarë. Le të ecim para. Po të bashkohemi, le të ndodhë por le të jetë një hap i mirëmenduar, të kalojë në procese të caktuara, të bindet dhe demokrati më skeptik. Por jo në këtë formë, jo me hipokrizi, por me vërtetësi.