Opinion

Origjina e totalitarizmit të Putinit

Origjina e totalitarizmit të Putinit

Nga Nina L.Khrushcheva/Në fund të vitit 1999, ndërsa një Boris Yelstin me shumë probleme shëndetësore po kërkonte një pasardhës nga radhët e shërbimeve të sigurisë, në Rusi po qarkullonte një batutë e hidhur. “Pse komunistët janë më të mirë se KGB-ja? Sepse komunistët do t’ju qortojnë, ndërsa KGB-ja do t’ju varë në litar”.

Në fakt ajo ishte më pak shaka dhe më shumë një paralajmërim. Mjerisht, shumica e rusëve nuk e kuptuan atë. Atë vit, Vladimir Putin – një agjent i KGB-së që tani drejton agjencinë pasardhëse të saj, Shërbimin Federal të Sigurisë – u emërua kryeministër. Menjëherë pas emërimit, ai dyshohet se u tha ish-kolegëve të tij të FSB-së: “Misioni për të depërtuar në nivelin më të lartë të qeverisë është përmbushur!”. Kjo duhet të kishte ndezur këmbanat e alarmit, edhe sepse Putin e kishte admiruar prej kohësh Yuri Andropov, ish-shefin e KGB-së, që drejtoi për 2 vite me dorë të hekurt Bashkimin Sovjetik.

Pas kaosit ekonomik dhe politik të viteve 1990, njerëzit kërkuan stabilitet dhe për ta arritur këtë, ishin të gatshëm ta rikthenin KGB-në në nivelet më të larta të qeverisjes. Kjo i dha Putinit, që u zgjodh president në vitin 2000, hapësirën që i nevojitej për të vendosur autoritet në stilin e Andropov mbi të gjitha aspektet e sistemit rus, përfshirë industritë strategjike si nafta dhe gazi.

Putin u ndje i kërcënuar nga manjatët që kishin marrë kontrollin e këtyre industrive gjatë presidencës kaotike të Yeltsin. Në vend të tyre ai vendosi të ashtuquajturit silovikë – bashkëpunëtorë të ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë, si ish-agjentët e KGB-së Igor Sechin dhe Sergey Chemezov.

Por si arritën trashëgimtarët e organizatave të tilla, që kishin ushtruar një terror të madh gjatë sundimit të Josif Stalinit në vitet 1930-1940 të siguronin pushtetin në shekullin XXI-të? Tek e fundit, pas de-stalinizimit të Nikita Khrushcheva gjatë viteve 1950 dhe Perestrojkës së Mikhail Gorbachev në fundin e viteve 1980, KGB-ja dukej se ishte në grahmat e fundit. Shumë agjentë, përfshirë Putinin, u tërhoqën gjatë sundimit të Gorbachev, duke menduar se shërbimet e sigurisë nuk do ta merrnin më kurrë veten. Por gjërat ndryshuan pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Rezultoi se KGB-ja ishte më e aftë për t’u orientuar në tranzicionin drejt kapitalizmit sesa çdo institucion tjetër sovjetik. Operativët e saj ishin amoralë, pragmatikë, me shumë lidhje, të pakënaqur nga orët e parregullta të punës dhe të aftë në manipulimin e njerëzve.

Ndërkohë ndikoi jo pak fakti që organizatat e sigurimit të shtetit nuk u shpërbënë asnjëherë. KGB-ja jo vetëm që i mbijetoi Gorbachev; si një version i tij i riemërtuar si FSB, por i mbijetoi edhe Boris Yelstin. Liberalë ose jo, udhëheqësit rusë, kanë qenë gjithmonë të varur nga shërbimet e sigurisë për të ruajtur pushtetin e tyre.

Ajo çka ishte ndryshe në kohën e Putinin (dhe atë të Andropov në epokën sovjetike), ishte shkalla në të cilën përfaqësuesit e këtyre shërbimeve zotëronin vetë pushtet. Për Putinin, forcimi i organeve të sigurisë, dukej si një garanci ndaj trazirave si ato të vitit 1991, të cilat sollën rënien e asaj që ai e quan “Rusia historike”. Dhe Putin është shumë krenar për stabilitetin e sistemit politik që ka ndërtuar, një proces që padyshim u ndihmua nga çmimet e larta të energjisë dhe menaxhimi relativisht kompetent nga disa silovikë.

Por ruajtja e atij sistemi është e ndryshme nga ndërtimi i tij. Qasja e Putin ndaj qeverisjes së establishmetit të tij, mishërohet nga amendamentet e miratuara në referendumin e rremë kushtetues të vitit 2020, të cilat i japin atij jo vetëm hapësire ligjore për të udhëhequr edhe për shumë vite të tjera, por përcaktojnë gjithashtu atë që duhet të jetë qytetari ideal rus: një patriot, besnik ndaj shteti mbi gjithçka tjetër.

Kjo qasje ka sjellë me vete një ndryshim të rolit të shërbimeve të sigurisë në aparatin shtetëror. Putin dëgjonte silovikë si Sechin dhe Chemezov, madje u delegonte bashkëpunëtorëve funksione shumë të rëndësishme. Tani, drejton vetë pa pasur pikëpamje alternative, duke ia deleguar zbatimin e politikave teknokratëve të qeverisë, të udhëhequr nga kryeministri robotik, Mikhail Mishustin.

Më shumë se kurrë, pushteti i përditshëm është në duart e organeve të sigurisë si Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen në Arsimin dhe Shkencën (Rosobrnadzor ), Shërbimi Federal i Ndëshkimit, Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen e Komunikimeve, Teknologjisë dhe Informacionit, si dhe Masmedia (Roskomnadzor).

Këto shtylla të reja të aparatit të kontrollit shtetëror janë entitete jo personale me një fokus të veçantë: pastrimin e hapësirës politike nga çdo gjë kundër Kremlinit – tani e kuptuar si anti-ruse – dhe ndëshkimin e atyre që nuk arrijnë të tregojnë një “besnikëri” të mjaftueshme. Ndryshe nga silovikët, ata nuk e këshillojnë Putinin se si t`i trajtojë më së miri sfidat me të cilat përballet Rusia dhe as nuk e njohin rëndësinë e angazhimit ndërkombëtar për zhvillimin e brendshëm të Rusisë. Përkundrazi, ata ndjekin verbërisht qëllimin e Putinit për të siguruar me çdo kusht kontroll të plotë mbi Rusinë.

Alexei Navalny, aktivisti kundër korrupsionit dhe lideri i opozitës që sot ndodhet në burg, beson se synimi kryesor i Kremlinit me pushtimin e Ukrainës, ishte të shpërqendronte rusët nga rënia e standardeve të jetesës dhe të shkaktonte efektin e nxitur nga retorika nacionaliste. Megjithatë, në thelbin e saj lufta përbën një mënjanim përfundimtar të figurave të FSB-së

që fituan pushtet gjatë viteve të hershme të zotit Putin, dhe konfirmimin e dominimit të teknokratëve të pa emër të sigurisë ruse, trashëgimtarëve të vërtetë të KGB-së.

Putin mbetet në krye; pasi sistemi i ri e kërkon këtë. Pasojat rrëqethëse të këtij ndryshimi, janë shfaqur aktualisht në të gjithë Rusinë. Që kur Putin nisi “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë, janë arrestuar më shumë se 15.000 protestues kundër luftës, përfshirë më shumë se 400 të mitur. Mediat e pavarura janë bllokuar ose mbyllur.

Ndërsa mediat e huaja nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të largohen nga vendi. Shpërndarja e çdo informacioni tjetër përveç versionit zyrtar mbi luftën nga Ministria e Mbrojtjes dënohet deri 15 vjet burg. Në këtë atmosferë të represionit total – tashmë të krahasuar me epokën e Stalinit – rusët që nuk kanë ikur jashtë vendit po vihen në rresht. Rreth 80 për qind e rusëve tani raportojnë se e mbështesin “operacionin” në Ukrainë. Dhe kjo nuk është për t’u habitur. Në Rusi mbretëron sërish xhelati pa fytyrë.

Shënim: Nina L.Khrushcheva, profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Re dhe bashkautore e librit “Në gjurmët e Putinit:Kërkimi i shpirtit të një perandorie në 11 zonat kohore të Rusisë”.

*Publikuar fillimisht te Bota.al