Opinion

Në mesin e krizave të mbivendosura, Evropa po përballet me një vakum lidershipi

Në mesin e krizave të mbivendosura, Evropa po përballet me
Nga Mujtabe Rahman/ Bashkimi Evropian është përballur me një mungesë të vërtetë të lidershipit, në një kohë që po përballet me një seri potencialisht shpërthyese të krizave të ndërlidhura ushtarake, diplomatike, energjetike dhe ekonomike. Përparimet në BE janë shënuar tradicionalisht në kohë krize, por një udhëheqës apo një grup udhëheqësish ka qenë gjithmonë i disponueshëmnë të kaluarën për të menaxhuar interesat dhe pikëpamjet e ndryshme drejt arritjes së konsensusit.

Sot është e vështirë të shihet se kush do ta ketë fuqinë apo besueshmërinë për të luajtur këtë rol këtë vit dhe vitin e ardhshëm, teksa pasojat e brendshme akute të pushtimit rus të Ukrainës – rritja e serioze e inflacionit, mungesa e energjisë dhe e disa produkteve ushqimore, racionimi i mundshëm, madje edhe recesioni ekonomik – do të fillojnë të ndihen shumë.

Ideja se madhësia dhe fuqia ekonomike e Gjermanisë, e bëjnë atë fuqinë e paracaktuar të BE-së, nuk ka qenë asnjëherë e sigurt pasi Berlini nuk ka qenë i prirur të marrë një rol udhëheqës në BE. Udhëheqja e unionit nënkupton identifikimin, promovimin dhe shitjen e zgjidhjeve përballë opozitës nga vendet e tjera të BE-së.

Thelbi i “merkelizmit” ishte diçka e ndryshme: “Udhëheqje nga qendra”, pra një qasje më pasive dhe e kujdesshme e fokusuar në ndërtimin e konsensusit rreth pikëpamjes së shumicës, në vend të guximit dhe kreativitetit në kundërpërgjigjen ndaj sfidave të reja. Kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, është edhe më “merkelian” se sa ishte vetë Angela Merkel.

Ai nuk ka fuqinë politike që gëzonte dikur Merkel, dhe as ambicien apo interesin për ta reformuar BE-në sipas vizionit gjerman. Por problemet e lidershipit të Gjermanisë sot shkojnë përtej karakterit të kancelarit të saj. Ato janë strukturore dhe lidhen me pozicionin e ri të Gjermanisë në BE, dhe jo me politikën e personalitetit të liderit të saj.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia është kriza e parë evropiane, në të cilën Gjermania është “ kërkuesi ” dhe jo mbrojtësi i BE-së. Në krizën e eurozonës nga viti 2009 e tutje, fuqia financiare e Berlinit ishte aseti vendimtar i unionit. Në krizën e migracionit të vitit 2015, ishte gatishmëria e Gjermanisë për të pranuar pjesën më të madhe të refugjatëve sirianë. Kur Rusia pushtoi Ukrainën për herë të parë në vitin 2014, ishte diplomacia e aftë e Merkelit, e mbështetur nga gatishmëria e Gjermanisë për të përballuar sanksionet, ajo që nxiti reagimin e BE-së ndaj Moskës. Por krizat e sotme janë të ndryshme.

Për shkak të varësisë së saj energjetike nga Rusia, Gjermania duhet të mbështetet tani tek “solidariteti” i partnerëve të saj në BE. Ndërsa Gjermania mund të ofrojë më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, zyrtarët e lartë gjermanë mbeten skeptikë nëse mund të arrihet një “fitore ukrainase” dhe për nivelin e përshkallëzimit që do të sillte ajo.

Vetë Scholz ka deklaruar shpeshherë se Gjermania nuk do të tejkalojë asnjëherë vendet e tjera të NATO-s kur bëhet fjalë për ndihmën ushtarake, dhe se një rol “i veçantë” për Gjermaninë në këtë aspekt do të ishte një “gabim”.

Kjo qasje ka kontribuar në humbjen e epërsisë morale të Gjermanisë, që ka qenë aseti i saj kryesor në krizat e mëparshme. Në vitin 2009, politika financiare shtrënguese e Gjermanisë, u prezantua si një virtyt moral. Por lufta në Ukrainë ka sjellë kolapsin e politikës afatgjatë të Berlinit ndaj Rusisë, duke e dobësuar legjitimitetin e saj por edhe aftësinë për të ofruar zgjidhje apo udhëheqje.

Por problemet e Evropës janë më të mëdha se Gjermania. Me luftën në Ukrainë që po i afrohet muajit të shtatë, dhe me krizën energjetike në zgjerim e sipër, edhe Franca ka nisur të heqë dorë nga ky lidershipin për shkak të një gjendje pasigurie dhe brishtësie rë brendshme politike.

Emmanuel Macron do të ishte një kandidat i dukshëm për të mbushur vakumin e lidershipit të BE-së. Por më 19 qershor, ai u bë presidenti i parë francez në 30 vjet që nuk ka një shumicë parlamentare (pasi u bë më 24 prill presidenti i parë francez në dy dekada që u rizgjodh në detyrë).

Tani Macron përballet me një peizazh politik të fragmentuar në mënyrë të barabartë midis të majtës radikale, qendrës konsensuale dhe të djathtës ekstreme. Kufiri i ri midis qendrës dhe të djathtës nacionaliste-populiste, kalon përmes Républicains të qendrës së djathtë.

Ndërsa është e mundur që ajo të ndahet përgjatë kësaj vije ndarëse në muajt në vijim, edhe kjo nuk do t’i japë domosdoshmërisht Macron përforcimin e mjaftueshme për një shumicë të qëndrueshme në Asamblenë Kombëtare. Prandaj, presidenti francez do të shpërqendrohet shumë më tepër nga problemet në shtëpi.

Ai përballet me një parlament të zemëruar dhe armiqësor, që do të luftojë me dhëmbë e thonj kundër programit të qeverisë së tij, sidomos reformave të diskutueshme ekonomike dhe sociale që ai synon të miratojë kur parlamenti të ri–mblidhet në sesionin e ri në tetor.

Këto politika do të kundërshtohen edhe “në rrugë” nga marshimet dhe grevat e sindikatave, duke filluar që nga shtatori. Këto të fundit kanë qenë gjithnjë të pashmangshme. Por në peizazhin e ri politik, ato ka të ngjarë të bëhen edhe më intensive.

Pra, Macron përballet me një zgjedhje: të shpërndajë parlamentin aktual ose ta pranojë atë, duke e kaluar e mandatit të tij të dytë 5 vjeçar si president i çalë. Duke pasur parasysh ambiciet e tij, ka gjithnjë e më e shumë gjasa që ai të thërrasë zgjedhje të reja parlamentare në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, një veprim sfidues që do ta dëmtojë gjithashtu aftësinë e tij për ta udhëhequr BE-në.

Por nuk janë vetëm problemet e brendshme të Macron, ato që do të kontribuojnë në deficitin e lidershipit evropian. Me apo pa të drejtë, perceptimi se ai është tepër i butë ndaj Rusisë, e ka minuar atë dhe axhendën e tij të “autonomisë strategjike”, pra besimin e Macron se BE-ja duhet të rrisë kapacitetet strategjike dhe ushtarake, për të qenë në lartësinë e peshës së saj globale, ndërkohë Polonia, Ballkani dhe shtetet anëtare nordike, e konsiderojnë veten palë në konfliktin me Ukrainën. Kjo pikëpamje ka vazhduar, edhe pse Macron ka deklaruar në intervistat dhe deklaratat e fundit se konflikti në Ukrainë do të zgjasë për shumë muaj, dhe se Franca do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare, derisa të arrihet “fitorja” me kushte të pranueshme për Kievin.

Zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Itali më 25 shtator, krijojnë gjithashtu destabilitet politik në një nga shtetet më të mëdha anëtare të BE-së, jo vetëm sepse ka të ngjarë që qeveria e ardhshme të jetë një koalicion i ekstremit të djathtë, i udhëhequr nga populistët e Fratelli d’Italia, Lega dhe Forza Italia.

Si kryeministër, Mario Draghi nuk ushtroi asnjëherë lidershipin që tregoi në Bankën Qendrore Evropiane. Në rastin më të mirë, ai ishte një garantues i stabilitetit. Por me largimin e tij, Italia nuk ka më gjasa të japë as një kontribut minimal pozitiv në vendimmarrjen apo ndërtimin e konsensusit brenda BE-së.

Përkundrazi, Roma do të bëhet sërish një burim shqetësimi, pasi qeveria e re do të jetë më pak e gatshme të zbatojë reforma ekonomike në këmbim të marrjes së pjesës së saj të fondeve nga paketa e BE për rimëkëmbjen ekonomike të unionit nga pandemia, ku vetëm kësti i parë për Italinë do të jetë 19 miliardë euro, ose rreth 1 për qind e PBB-së së vendit.

Një qeveri euroskeptike e ekstremit të djathtë mund të bjerë në fund dakord me reformat e kërkuara nga BE, por procesi do të jetë plot ulje-ngritje dhe i dhimbshëm. Është e vërtetë se BE-ja nuk ka asnjë “udhëheqës”. Por është po aq e vërtetë, që shtetet anëtare të vogla dhe të mesme të unionit, nuk e pranojnë me të drejtë sugjerimin se i përkasin “gradave të tjera”, në një kohë që Gjermania, Franca dhe Italia përfaqësojnë “klasën e oficerëve”.

Por shtetet e vogla dhe të mesme janë vetë të ndara midis veriut dhe jugut, lindjes dhe perëndimit. Tani mund të jetë momenti i tyre. Por cili prej tyre do të ketë guximin apo besueshmërinë për të udhëhequr?

Publikuar fillimisht te bota.al