Opinion

Me sytë nga Gjermania

Me sytë nga Gjermania

Mirela Kumbaro

Unë nuk e di saktësisht se si do të jetë presidenca gjermane që ngriti sot perden e skenës së Bashkimit Europian, por besoj biem dakord me ndjesinë e shpresës së mirë që shoqëron këtë 1 korrik “gjerman” të udhëheqjes së BE.
E gjeta këtë ndjesi në shtypin europian sot, dhe them se nuk gabohem që edhe në Shqipëri e përcjellim po njësoj.
Sepse është një vend i konsoliduar, është i disiplinuar, i fortë ekonomikisht, me themele filozofike që kanë mbajtur botën, me politikanë nga më seriozët dhe me një kancelare që vazhdon të jetë model i udhëheqësit politik dhe i së ardhmes femerore në politikëbërjen europiane dhe jo vetëm…. ? Mbase!
Por edhe për shumë arsye të tjera që unë nuk i shteroj dot, por mund ta mbyll listën e papërfunduar të arsyeve me perceptimin se në këtë anë të botës Gjermania na jep besim se e mban fjalën, se na e do të mirën, se na e thotë të vërtetën, se nuk na e ka me hile, dhe se i do shqiptarët në Europë.
Nga ana tjetër, sfidë e madhe është për besë, as e para e as e fundit, për Angela Merkel -in, që të mbajë timonin e Anijes Europiane në një nga kohërat më të këqia që mund të ketë njohur BE-ja, por edhe bota mbarë, kur administrimi i pandemisë dhe i krizës ekonomike nuk është thjesht lajm gazetash por jeta e përditshme e gjithkujt.
A do të jetë ajo shpëtimtarja e një Europe të dobësuar? Janë të gjitha gjasat që po.
Ishte pikërisht kancelarja Merkel që në kulmin e tërmetit të pandemisë bëri kthesën e fortë duke i konsideruar stabilitetin dhe begatimin e euros më të rëndësishëm se sa klishetë që kanë sunduar në dy dekadat e fundit organizatën.
Kriza që po jetojmë e që tundi themelet edhe të Europës së Bashkuar, nxorri në pah rolin e pushtetit publik që u legjitimua më shumë se kurrë më parë, forcën e sektorit publik, të pazëvendësueshëm nga asnjë lloj korporate private apo udhëheqës providencial populist, në mbrotjen e punës dhe të vlerave, në ruajtjen e themelit të shoqërisë dhe të solidaritetit.
Në këtë moment kaq delikat, Gjermania zgjodhi Europën me forcën e solidaritetit për shtetet më “të dobëta”. Nëse kjo presidencë gjermane do t’ia dalë me sukses, sikurse të gjithë shpresojmë e besojmë, Angela Merkel do ta meritonte vërtet vendin e saj, krah paraardhësit dhe mentorit të vet Helmut Kohl, në Panteonin e Europës.
Gjermania jo vetëm e punës dhe e ekonomisë, por sidomos Gjermania e mendimit të thellë, e filozofisë dhe e kulturës - që sot ka për president një “homo kulturalis” Frank–Walter Steinmeier, ish ministrin e jashtëm që kulturën e konsideron si “shtyllën e tretë” të diplomacisë gjermane, “third pillar”siç e pat konfirmuar edhe vetë në takimin që organizoi me ministrat e kulturës të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e takimeve të organizatës në zanafillë gjermane “Traduki” – nuk zhgënjen!
I vaftë mbarë për Europën dhe për Shqipërinë europiane!
Nëse do të duhej një kolanë zanore për këtë 1 korrik “gjerman” pa dyshim do të zgjidhja “Wind of change” të Scorpions -ave.

Me sytë nga Gjermania

Me sytë nga Gjermania