Me këtë laps shkroi gjithë Ballkani - dhe Sigmund Freudi

Nga Enver Robelli/ Në Zagreb ka falimentuar firma Penkala, e cila prodhonte mjete të llojllojshme shkrimi: lapsa, lapskimikë, stilografë. Nga alpet sllovene deri te liqeni i Ohrit, mijëra njerëz shkronjat e para i kanë shkruar me “penkallë”. Themeluesi i firmës ishte një shpikës i shumëanshëm.
Nëse në Ballkan i pyesni të moshuarit se kush e ka mbajtur së bashku Jugosllavinë, përgjigjja në të shumtën e rasteve do të jetë: Josip Broz Tito. Qejfliu dhe diktatori komunist ka vdekur para 44 vitesh, mbi gërmadhat e federatës së tij shumëkombëshe janë krijuar shtatë shtete të pavarura.
Nëse në Ballkan i pyesni njerëzit e interesuar për historinë se çka e ka mbajtur së bashku Jugosllavinë, ata përmendin rëndom dy marka: mëlmesën e verdhë me emrin Vegeta dhe mjetet e shkrimit të Penkalas, një firmë me traditë nga Kroacia. Vegeta ende është e pranishme në tregun e lirë (madje edhe në dyqane në Zvicër). Ndërsa Penkala para disa javësh ka falimentuar. Dhe kësisoj do të zhduket edhe një pjesë e kulturës shkrimore dhe historisë së Ballkanit.
Kush është rritur në Jugosllavi, shkronjat e para i ka shkarravitur me laps të markës Penkala. Letrat e dashurisë shpesh janë shkruar me lapskimik të kësaj firme, kontratat dhe dëftesat nënshkruheshin me stilograf elegant të Penkalas, për vizatime teknike njerëzit kishin në dispozicion lapsin teknik.
Penkala ishte sinonim i mjeteve të shkrimit. Kush shkruante me të, mund të krenohej se kishte arritur diçka në shoqërinë socialiste. Stilografi i Penkala ishte simbol i statusit shoqëror po aq sa edhe suvenir i pëlqyer, i cili bashkonte mbarë Jugosllavinë. Cilësia e “penkallës” lavdërohej edhe në këngë popullore në gjuhën shqipe. Tempi passati, këto kohëra kanë marrë fund. Dorëshkrimi po i rrëshqet njerëzve nga dora gjithnjë e më shumë.
Tastaturat dhe “touchscreens” po e përzënë lapskimikun e stilografin. Përshëndetjet nga pushimet, të shkruara në shpinën e panoramave, janë rralluar. Në vend të tyre t’i ha nervat cingërima e Whatsapp-it, një goditje me çekan digjital që synon të na tërheq vëmendjen se në kutinë e gjelbër të Whatsapp-it janë edhe 333 mesazhe të pahapura me fotografi nga bregdeti kroat, të gjitha të stolisura me “emoji” dhe ca gjëra të shkruara shkel e shko.
Me bankrotimin e firmës Penkala, shkroi së fundi historiani dhe publicisti kroat Dragan Markovina, mbyllet edhe një qark i historisë së Jugosllavisë. Gazeta “Veçernji list”, e cila botohet në Zagreb, e quajti lajmin për falimentimin e Penkalas të pikëllueshëm dhe të turpshëm. Penkala u themelua më 1937 në kryeqytetin kroat. Por zanafilla e firmës shkon më tutje, deri në vitin 1906, kur inxhinieri Sllavolub Eduard Penkala e patentoi në Budapest një laps mekanik. Atëbotë Kroacia ishte pjesë e Monarkisë së Habsburgut.
Reklama - një burrë i buzëqeshur me një laps pas veshit gjigant - lavdëronte këtë shpikje në disa gjuhë, përfshirë gjermanishten: “Ky është një laps që përherë rri i mprehur pa u mprehur kurrë apo kthyer në anën tjetër. Edhe lapsa me ngjyra paarritshëm të hollë dhe të qëndrueshëm. Elegantë, të thjeshtë dhe rezistues!” Më 1907 Sllavolub Eduard Penkala bëri zbulimin e radhës: stilografin me bojë të ngurtësuar, një pararendës i lapskimikut të sotëm, i cili i dha fund përshkëllimeve me pendë shpezësh dhe stilografë që duhej mbushur me ngjyrë nga boca.
Megjithatë, si shpikës i lapskimikut praktik njihet hungarezi László József Bíró, i cili në mes të Luftës së Dytë Botërore mori patentën përkatëse. Qysh në fund të shekullit të 19-të u zhvilluan modelet e para të lapskimikut për të revolucionarizuar të shkruarit. Ndërsa Friedrich Schilleri e shpotiste epokën e tij si “shekull të përshkëllimeve me bojë”, Friedrich Nietzsche u shpreh skeptik sa i përket mjeteve të reja të shkrimit.
“Nëse tani nuk do ketë më pauza për të ngjyer pendën në bocë, për të mbushur bocën dhe të tharë bojën, atëherë më thoni - ju lutem shumë - kur mund të zhvillojmë ide?”, mendonte nihilisti Nietzsche.
Sllavolub Eduard Penkala ishte fëmijë i Perandorisë Austro-Hungareze. U lind më 1871 në qytezën sllovake Liptovsky Mikulas, kreu gjimnazin në Poloni, studioi në Vjenë dhe Dresden dhe në fillim të shekullit të 20-të erdhi në Zagreb, ku inxhinieri i ri u caktua në postin e kontrolluesit të masave në shërbim të Monarkisë Danubiane. Në Zagreb Penkala dëshmoi aftësi të mëdha për shpikje dhe në rrjedhën e karrierës së tij paraqiti 80 patentë, mes tyre frerët automatikë për trena të terreneve malore, një brushë speciale dhëmbësh dhe një shishe për të mbajtur ujin e nxehtë dhe ngrohur trupin. Më 1910 Penkala konstruktoi avionin e parë në Kroaci dhe fluturoi me këtë dyvendësh rreth 60 metra në një lartësi prej 1,5 metra. Pas një aksidenti, ai hoqi dorë nga planet e tij aviatike. Deri kur vdiq papritur në moshën 50-vjeçare, Penkala, bashkë me dy partnerë afaristë, punëtorinë e tij të vogël e shndërroi në ndërmarrje me 800 punëtorë, e cila prodhimet e veta i shiste në më shumë se 70 vende. Nga kjo ndërmarrje më 1937 u themelua në Zagreb TOZ Penkala.
Pas fitores së partizanëve komunistë në Luftën e Dytë Botërore, firma u nacionalizua dhe prodhoi gati pesë dekada mjete shkrimi për gjithë Jugosllavinë - nga alpet sllovene deri te liqeni i Ohrit. Me shpërbërjen e shtetit të përbashkët në fillim të viteve 1990-të edhe TOZ Penkala mbeti pa treg të brendshëm, i cili shtrihej nga Sllovenia në Maqedoni. Në Kroacinë e pavarur ndërmarrja e privatizuar u ballafaqua me vështirësi financiare.
Për të tërhequr vizitorë në ndërmarrje, drejtoria e TOZ Penkala para disa vitesh paralajmëroi blerjen e një gjirafe. Edhe optimistët më të mëdhenj e patën të qartë se e ardhmja nuk fillon aty ku lulëzojnë ide të tilla, të cilat vetëm maskojnë dështimin. Pas 87 vitesh Penkala i mbylli dyert përfundimisht. Nuk e mbijetoi epokën digjitale.
Ata që kanë lexuar deri këtu, me siguri mund të pyesin: ku mbeti Sigmund Freudi? Qe: në ligjëratat e Freudit mbi psikoanalizën, të mbajtura në vitet 1916/17, në mesin e “simboleve padyshim seksuale mashkullore” përmenden edhe lapsat e firmës Penkala. Te vepra “Interpretimi i ëndrrave” (botuar më 1899) lapsat e Penkalas nuk përmendeshin, sepse Sllavolub Eduard Penkala i nxori në treg tek në vitin 1906.
Nga viti 1908 në gazeta u botuan reklama: burra të hareshëm e veshbigë me lapskimikë pas veshit, diplomatë që mbanin mbi supe lapsat në vend të pushkëve, intelektualë që nuk e harronin “penkallën” as kur shkonin në pushime skijimi. Më shumë detaje mbi gjësendet e Freudit mund të gjenden në librin “Freuds Dinge” (Gjësendet e Freudit) të gazetarit gjerman Lothar Müller të botuar nga shtëpia botuese më e mrekullueshme në botë: Die Andere Bibliothek, biblioteka tjetër, e themeluar nga shkrimtari i madh gjerman Hans-Magnus Enzensberger. Nejse, kjo është një histori tjetër, pak më gjatë.