Opinion

Java e 8 marsit… ku Nina (s) mungoi

Java e 8 marsit… ku Nina (s) mungoi

Nga Zefina Hasani

Kjo e shtunë po mbyll, jo vetëm ciklin e një jave të zakonshme, por dhe atë të aktiviteteve të shumta, protestave, emisioneve, postimeve nëpër Instagram e të shumë e shumë mesazheve që janë përcjellë përmes tyre për 8 Marsin për forcën e gruas, lirinë, pasionet e për gjithë qenien e veten e saj.

Kam qenë e pranishme në disa prej tyre, duke nisur nga hiking në malin e Dajtit, të dielën e 5 marsit, për mbledhje fondesh në ndihmë të grave viktima të dhunës, vijuar me episodin e radhës së rubrikës “Mama single” në "Top Channel", që nisi me guximin e tyre për të treguar dhimbjet, vuajtjet nën dritat e studios televizive…, e duke përfunduar tek aktiviteti “WE” (NE) i RCC-së, për promovimin e grave sipërmarrëse në biznes në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shumë evente, si Fem Fest, apo protestën kundër dhunës e vrasjes së grave, i ndoqa nga portalet e postimet në social media…

Do të kisha dashur që në fundin e kësaj jave, që i përkiti vajzave e grave, të kishte qenë, (siç në fakt ka qenë në çdo të shtunë) një tjetër episod i serialit televiziv “Nina” i cili më është dukur, që në episodet e saj të para (të sezonit të parë në RTSH e këtij të dytit në TV Klan) se përveç se vajzave single si Nina, (që përpiqet e jeton, herë mirë e herë jo edhe aq mirë, brenda vorbullës së forcave të vetes) u përket të gjitha vajzave e grave, siç janë shoqet dhe mamaja e saj në këtë serial.

Me 1001 ndjesitë, fantazitë, lidhjet e ndërlikuara, shqetësimet, pasiguritë e padiskutim edhe besimin se gjithçka do të bëhet prap mirë, që çdo vajzë e grua, ndjen… “Nina” duhej të ishte epilogu më i bukur e më social (sepse aty për fat të mirë s’ka dhunë e sepse aty edhe drama më e thellë e pasigurisë për të nesërmen, zbutet me një batutë që të ndihmon të mos mbetesh zhytur në honin e mendimeve të errëta) i kësaj jave kur flitet më shumë se çdo herë tjetër për (pa) fuqinë e gruas.

Por ja që “Nina” paska mbaruar para se të niste java e 8 Marsit. Ndaj atë epilog që ajo s’na e dha dot sot, po e shkruaj vetë: Nina ka folur për emancipimin e vajzës e të gruas, për zbukurimin e saj përtej kornizave që ka vënë ndër vite shoqëria shqiptare, pa pritur javën e 8 marisit, pa përdorur slogane e mesazhe klishe. E ka bërë prej kohësh, çdo javë e nga pak, ashtu thjesht, me fjalë të vogla, me histori e të vërteta që jo të gjithë guxojnë t’i bërtasin. E ka bërë e duhet të vazhdojë ta bëjë sepse çdo javë, para gjatë e pas 8 marseve, do të bëhej më e bukur më motivuese, për vajzat jashtë çdo steriotipi si Nina por dhe për shoqet e saj e për shoqet e mamit të saj.