Ismail Kadare në dy sisteme, shtatë libra për ta kuptuar

Ismail Kadare është shkrimtari i parë ndërkombëtar shqiptar, me një krijimtari në dy sistemet politike të Shqipërisë, të zhvilluar mes Tiranës dhe Parisit. Në ditën e 84 vjetorit të lindjes së tij, debati mbi marrëdhëniet me pushtetin diktatorial por edhe mosangazhimin e tij politik gjatë periudhës së demokracisë, është i pashmangshëm. Por çdokush mund të marrë përgjigje për këto pikëpyetje duke lexuar veprën e tij, nga e cila kemi rekomanduar shtatë libra të ndarë në mënyrë kohore nga vitet ’90.
“Kronikë në gur” konsiderohet si romani i hyrjes në jetë dhe në letërsi dhe mbetet vepra letrare më autobiografike e Ismail Kadaresë. Siç ka thënë në disa intervista të mëvonshme, shumë prej veprave të tij janë ngjizur nga përjetimet e fëmijërisë në Gjirokastër. “Duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”, shkruan ai.

Si në rastin e “Kush e solli Doruntinën”, në “Ura me tri harqe” Ismail Kadare risjell në trajtën e romanit legjendën shqiptare të Rozafës, duke krijuar një fenomen të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe. Përmes përzierjes së personazheve realë dhe ata të trilluar, përtej magjisë plot ritëm që merr duke lexuar këtë vepër, Kadare thekson idenë e “ftesës për flijim”, si një prej themeleve të sistemit diktatorial.

Në krahinën e Mirditës, në një rrafshnaltë të izoluar nga pjesa tjetër e vendit me besimtarë katolikë, udhëtojnë Besian Vorpsi dhe bashkëshortja e tij, personazhe të romanit “Prilli i thyer” nëpërmjet të cilëve Kadare sjell në letërsinë shqipe zbatimin e Kanunit në veriun e vendit, duke sjellë edhe këndvështrimin e tij intelektual e artistik mbi marrëdhënien e gjakmarrjes, besës dhe miqësisë në realitetin shqiptar.

Nëse në alegoria më e njohur në letërsinë botërore është “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, në Shqipëri këtë rol e merr “Pallati i ëndrrave”. Në debatin e përhershëm mbi marrëdhënien e Kadaresë me pushtetin diktatorial, përmes këtij romani çdo lexues mund të kuptojë se ai ka arritur të përdorë armën më të fortë kundër regjimit: letërsinë. Në kritikën vendase dhe atë botërore, “Pallati i ëndrrave” konsiderohet si vepra që e bën të meritojë çmimin Nobel.

“Darka e gabuar” mund të konsiderohet si vepra më moderne dhe më e arrirë e Kadaresë pas viteve ’90, megjithëse tematika lidhet me një darkë të ndodhur realisht dhe një ngjarje globale politike dhe tashmë të njohur: komploti i mjekëve në Kremlin për vrasjen e Stalinit. Kadare luan mjeshtërisht me trillin, duke dhënë versionin e tij për përfundimin e ngjarjes.

Flitet pak dhe ndoshta duket i nënvlerësuar, por “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, i shkruar në vitin 2003, meriton plotësisht të konsiderohet si një prej veprave më të mira të letërsisë shqipe. Dallon veçanërisht gjuha, e cila ndryshe nga veprat e mësipërme, është e shpenguar e shpesh herë në zhargon, batuta dhe humor, të cilat i shërbejnë këtij stili narrativ disi të veçantë për letërsinë e Kadaresë.

“Mosmarrëveshja: Shqipëria përballë vetvetes” përbën ndoshta testamentin publicistik dhe shpërfaqjen më të drejtpërdrejtë të botëkuptimit të Ismail Kadaresë për marrëdhënien e Shqipërisë me vetveten, por edhe me të tjerët përgjatë shekujve. Mund të jesh dakord ose jo, por meriton të lexohet edhe si një ndër veprat më të rëndësishme eseistike pas viteve ’90.

Publikuar nga Erion Uka në Tiranapost në 2020.