Opinion

Çfarë na mëson rasti i kampionit të botës Djokoviç! Në pandemi s`ka të fuqishëm dhe as të pasur

Çfarë na mëson rasti i kampionit të botës

Nga Fabjola Hije/ Sportist, 9 herë kampion në tenis, ka thyer rekordin e Roger Federer, por asnjë arritje nuk të bën imun ndaj Covid dhe rrezikut që i kanos vetes dhe të tjerëve. Ndaj edhe Novak Djokoviç, tenisti serb ka mbetur i ngecur në aeroport.

“Unë nuk e bëj vaksinën. Nuk mund të më detyrojë askush ta bëj”, tha ai prillin e kaluar dhe nuk e bëri.

U stërvit, mori vizën dhe u nis për kampionatin e radhës në “Australia Open” që si për ironi të emrit ‘Open’ që mban, ia mbylli dyert. Po të mos ishte në fakt për reagimin në masë të njerëzve të zakonshëm, mund të ishte bërë një përjashtim, por jo. Edhe pse viza iu dha, edhe pse kryeministri australian Scott Morrison tha se për të ishte bërë një përjashtim, njerëzit e zakonshëm vendosën.

Çfarë na mëson rasti i kampionit të botës
Novak Djokovic

Vaksina dhe rregullat e pandemisë janë për të gjithë. As një kampion bote nuk mund të përbëjë përjashtim. Ai nuk ka asnjë arsye (nga ato që janë të justifikueshme me protokoll), për të mos u vaksinuar. Është një zgjedhje. Ndoshta një tekë. E kundërt me atë që shumë australianë apo udhëtarë që hyjnë në kufi kanë vendosur: të vaksinohen sipas rregullave. Dhe ishin pikërisht ata që i treguan botës se një sportist mund të admirohet në fushë, por përpara rregullave të pandemisë të gjithë janë të barabartë dhe nuk ka asnjë përjashtim.

Novak Djokoviç me shumë mundësi do të kthehet mbrapsht pas pak orësh. Kështu nuk do të arrijë ta mbrojë titullin e tij si kampion, ama një mësim të mirë ia dha botës: Dikush sakrifikon duke ndjekur rregullat strikte të Covid, dikush tjetër sakrifikon duke hequr dorë nga ëndrrat, vetëm për të mos u vaksinuar!