Opinion

Dje në tokën shqiptare u rikthye shpresa. Tani është radha jonë. Duhet gjithkush të bëjë detyrën e vet

Dje në tokën shqiptare u rikthye shpresa. Tani është radha

Nga Ksenofon Krisafi

Dje në mesditë, më 19 maj 2021, të gjitha mediat dhe rrjetet e informimit publik shpërndanë mesazhin e ardhur nga përtej oqeanit. Uashingtoni, Amerika e madhe, mikja shumë e dashur e të gjithë shqiptarëve, iu gjend atyre në një nga çastet, por edhe në segmentin kohor më krucial.

Vunë gishtin te Sali Berisha, njeriu që nga shumica e shqiptarëve është identifikuar si fatkeqësia e këtij vendi, si mallkimi i tyre, si njeriu që me të vërtetë deshi t’ua ngrinte buzëqeshjen, siç është shprehur vetë. Tashmë të gjithë e kuptojnë qartë se Amerika e damkosi Sali Berishën me vulën e një prej njerëzve më kobndjellës të Shqipërisë.

Departamenti i Shtetit iu drejtua shqiptarëve pasi kishin zhvilluar një proces elektoral që, me gjithë problemet, shkeljet, deformimet eventuale etj, në një kuptim relativ, ishte më i miri deri më sot. Iu drejtua kur disa nga të humburit mjeranë të politikës dhe të palo publicistikës, në vend që t’ia vënë mirë gishtin kokës për të gjetur shkaqet reale të humbjes, përpiqen të gjejnë “qimen në vezë”.

Shpresojnë më kot që, duke kontestuar tërësisht rezultatin, do të zhbëjnë një ndër arritjet më të mëdha të shqiptarëve të këtyre viteve të fundit, reformën në gjyqësor (pavarësisht problemeve dhe mangësive që ajo mund të ketë).

Dje në tokën shqiptare u rikthye Amerika, u rikthye shpresa, u rikthye lajmi ekzaltues se më së fundi edhe këtu, në Shqipërinë që e ka ëndërruar dhe e ka kërkuar pambarimisht dhe fuqimisht demokracinë e vërtetë, do të vijnë ditë të mira.

Do të vijë liria dhe demokracia e vërtetë edhe në atdheun e shqiptarëve kaq shumë të vuajtur nga vrasjet, dhunimet, fyerjet, poshtërimet, plaçkitjet, grabitjet, vjedhjet e shfrenuara të një kaste, të një grupi rrugaçësh politikë, por edhe të disa të vetëquajturve analistë ose opinionistë të pashpirt, të pasjellshëm, të paedukuar dhe të pakulturuar, që çdo natë, përmes ekraneve televizive, linçojnë e torturojnë teleshikuesit, të cilët duke i matur me kutin e tyre i marrin për budallenj dhe mendojnë se mund t’i tallin me idiotësira.

U vu re se atmosfera e njëlloj çlirimi njerëzor e shpirtëror, ishte një ndjesi e përgjithshme shpëtimtare. Ajo dallohej te kushdo, shpërndahej nëpërmjet sms-ve, meme-ve, e-maileve, telefonatave, bisedave etj, që, bashkë me shprehjen “e more vesh”, gati sa nuk shprehnin urime e përgëzime.

Kjo do të thotë që gjithkush në Shqipëri e priste me padurim këtë lajm të mrekullueshëm të së djeshmes, këtë zhvillim cilësor, i cili do të hyjë në historinë e demokracisë shqiptare.
Por nuk duhet menduar se tani që foli Amerika ne duhet vetëm të gëzohemi, të entuziazmohemi dhe të presim që ajo do na i sjelli të gjitha.

Jo, aspak. Amerika, partneri ynë strategjik realisht i tillë, bëri pjesën e vet. Tani është radha jonë. Duhet që gjithkush të bëjë detyrën e vet, veçanërisht ajo pjesë e pandotur e politikës, institucionet kompetente shtetërore, të cilat ky popull i paguan “sa frëngu pulën”, intelektualët e mirëfilltë, klerikët, qytetarët, kushdo që e sheh të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të vet në Shqipëri dhe në optikën e një zhvillimi progresiv social e ekonomik.

Këtë duhet të vazhdojnë ta bëjnë edhe ajo pjesë e medias që ndjehet e çliruar nga vargojtë skllavërues të politikës së pandershme, analistët dhe opinionistët objektivë dhe të paanshëm, të cilët edhe pse të blasfemuar nga politika e kriminalizuar, kanë përballuar sulme e privacione të rënda.

Lajmi që mbërriti nga Uashingtoni është një ogur shumë i mirë edhe për Kosovën dhe shqiptarët që jetojnë të shpërndarë në trojet e tyre etnike në shtetet e tjerë të Ballkanit.
Të gjithë duhet të zgjohemi nga letargjia dhe plogështia e indiferentizmit të padurueshëm.

Duhet të inkurajohemi për t’u emancipuar në shkallën që duhet, për t’u sjellë si europianë e perëndimorë shembullorë. Këtë unë e kuptoj që ne shqiptarët duhet të sillemi në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin, në respekt dhe solidaritet maksimal për personalitetin dhe dinjitetin e gjithsecilit. Duhet të vlerësojmë, të respektojmë dhe t’ua mbajmë dorën shtrirë fqinjëve tanë, duke iu kërkuar që edhe ata të na respektojnë pa na kërkuar asnjë lëshim ose kompromis që cenon tërësinë territoriale, interesat e sigurisë kombëtare dhe të ardhmen e vendit.

Por mbi të gjitha ne shqiptarët duhet të vlerësojmë dhe të respektojmë miqtë dhe aleatët tanë të mëdhenj, me Amerikën e madhe në krye të listës.
Njoftimi i djeshëm tregoi se ajo edhe kur nuk flet, sheh, dëgjon dhe mban shënim. Tregon gjithashtu se për të nuk kanë rëndësi ata që dalin rastësisht në krye me pozat e liderëve shëmtaraqë, por shqiptarët që e çmojnë, e duan realisht Amerikën dhe e shohin atë në dritë të syrit.

Prandaj miqësinë me të duhet ta konsiderojmë faktor vendimtar, conditio sine quoi non për prosperitet. Dhe që të mos e harrojmë këtë aksiomë le të kujtojmë përkrahjen e e saj të madhe për të sprapsur pretendimet territoriale të fqinjëve gjatë zhvillimeve dramatike në punimet e Konferencës së Paqes në Paris, 1919-1920, mbështetjen e pakushtëzuar për përmbysjen e regjimit monist dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri, kontributin për reformën në gjyqësor, angazhimin e paçmuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ndërhyrjen e djeshme për shpëtimin e të ardhmes së vendit etj.
Këto mendime të shpejta reflektive nga lajmi kaq shumë i gëzueshëm i shpërndarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, dua t’i mbyll me vargjet e një vjershe, shkruar në vitin 1917.

Autori i saj, Fan Noli, kërkonte të ngrinte moralin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që dukej sikur ishte në grahmat e fundit të shpirtit, për shkak të pushtimit nga ushtritë e dy blloqeve ndërluftuese si edhe të përpjekjeve të disa feudalëve prapanikë shqiptarë në mentalitet dhe në grykësi pasurore e politike për të përfituar nga rasti. Ai i drejtohej asaj duke i përmendur djemtë e saj të emigruar për bukën e gojës në Amerikë, të cilët në disa raste e kishin treguar se nuk e harronin atdheun e tyre, por edhe që t’i tregonte se këta djem po jetonin dhe njëkohësisht po edukoheshin e formoheshin në një shtet si Amerika, e cila qysh atëherë dukej se ishte shndërruar në liderin botëror në politikë, ekonomi, demokraci etj.
Përmbajtja e rreshtave të kësaj vjershe duket sikur ka pasur parasysh Shqipërinë dhe shqiptarët e sotëm.

Noli shkruante:

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.
Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.
Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot -se nesër është vonë-
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë!

Botuar në DITA

*Tiranapost.al.