Opinion

Askush nuk e do LSI-në

Askush nuk e do LSI-në

Nga Plator Nesturi/ Askush nuk e do LSI-në. Madje as Shpëtim Idrizi, i cili apelon vendimin e KQZ me qëllim që komisioneri të mos jetë i LSI por i partisë së tij. Në këto dhjetë ditë zyrtare të fushtatës elektorale, askush nuk e do pranë dhe kjo shihet dhe nga ana e PD me të cilën ka një marrëveshje për koalicion paszgjedhor. Gjithësesi, si nga PD edhe nga PS, (të dyja me nga një histori bashkëqeverisje me LSI), kanë të njëjtën akuzë dhe motivim për ta mbajtur larg: shpërdorues të pushtetit të të mëdhejve dhe rritje të pandershme elektorale duke shfrytëzuar qënien në pushtet. Në fakt, çfarë po ndodh së fundmi në këtë fushatë dhe në strategjitë elektorale është një risi që nuk është hasur më parë.

Gjatë 30 viteve të pluralizmit, beteja kryesore për votën ka qenë e përqëndruar midis dy partive të mëdha. PS dhe PD kanë qenë demat që kanë përplasur brirët mes tyre për çdo palë zgjedhje, qoftë parlamentare apo vendore, dhe fitorja apo humbja, dihej se do të ndiqeshin nga revanshi për pikëbetejën e rradhës. Partitë e tjera më të vogla pjesëmarrëse janë kënaqur veç me targetin e tyre të votuesve të interesave specifikë, implementimi i të cilave do të ndërvarej vetëm nga pranimi në një aleancë qeverisëse me një nga të mëdhejtë e politikës. Tashmë në këtë fushatë duket se kemi tjetër skemë. Brirët e të mëdhejve duket se janë drejtuar jo aq kërcënueshëm ndaj njëri tjetrit. Ato duket se janë drejtuar dhe kundër të vegjëlve. Dhe këtë e bën më së pari PD, që ndonëse i ka futur në listën e saj duke thithuar në hambarin e saj cdo votë opozitare, sërish është e kujdesshme që të partitë e vogla të humbin identitetin e tyre. A do të shkrihen ato brenda shtratit të PD, kjo ende nuk dihet, por e qartë është që çdo votë e tyre është ngjyrosur blu tashmë për këto zgjedhje. Ndërkohë, për faktorin tjetër të LSI duket se nuk mund të operohet për shkrirje midis tyre. Shigjetat e drejtuara ndaj LSI duket se janë për të tretin e besdisshëm. Por jo vetëm kaq. Mesa duket është dhe frika për haraçin e madh që kërkon ajo sa herë kur votat e saj garantojnë pushtetin.

*Marrë nga Fjala.al