Opinion

Analogjia Ukrainë-Tajvan: Frika reale dhe krahasimi i rremë

Analogjia Ukrainë-Tajvan: Frika reale dhe krahasimi i rremë
Nga Farid Kahhat/ Disa ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, fluturimi i disa avionëve luftarakë kinezë pranë ishullit të Tajvanit provokoi shqetësim në mbarë botën. Por ky shqetësim ishte në fakt i panevojshme pasi “zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore” të Tajvanit, ku fluturuan avionët kinezë, është më e gjerë sesa hapësira e saj ajrore.

Po ashtu, fluturime të tilla nuk kanë qenë të pazakonta, pasi kanë ndodhur mbi 900 herë që nga krijimi i zonës ajrore. Ndërkohë, çdo krahasim midis rasteve të Tajvanit dhe atyre të Ukrainës anashkalon faktin se përtej kontekstit aktual, Tajvani është në fakt më i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara sesa Ukraina.

Për shembull, ndërsa Tajvani është partneri i 9-të tregtar i SHBA-së, Ukraina është e 67-ta në këtë listë. Kompania kryesore e prodhimit të gjysmëpërçuesve në botë ndodhet pikërisht në Tajvan, dhe produktet e saj luajnë një rol vendimtar në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar.

Sa i përket sigurisë, Tajvani është i pari nga 2 vargjet e ishujve në të cilët Shtetet e Bashkuara do të bënin çdo përpjekje për të frenuar zgjerimin detar të Kinës. Por nëse Ukraina do t’i bashkohej ndonjëherë aleancës ushtarake të NATO-s, ajo do të ishte vetëm një nga pesë anëtarët e NATO-s që ndajnë një kufi me Rusinë (Polonia dhe Lituania kufizohen gjithashtu me enklavën e Kaliningradit).

Nga ana tjetër, kufijtë e Letonisë dhe Estonisë janë më afër Moskës sesa kufiri Rusi-Ukrainë.

Kur Shtetet e Bashkuara vendosën të vendosin lidhjet diplomatike me Kinën komuniste, ajo përdori atë që e quajti “politikë të paqartësisë strategjike” përkundrejt Tajvanit (ose siç quhej ndryshe Republika e Kinës).

Paqartësia qëndronte në faktin se ndërsa e pranonin Tajvanin si pjesë të një shteti të vetëm kinez, Shtetet e Bashkuara nuk patën asnjë qasje specifike për çështjen e sovranitetit të tij. Për sa i përket sigurisë, kjo paqartësi përfshihet në Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin të vitit 1979, i cili angazhon Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë Tajvanin në kapacitetet e tij mbrojtëse, pa i detyruar në mënyrë eksplicite Shtetet e Bashkuara që të ndërhyjnë ushtarakisht për të mbrojtur ishullin.

Ky akt përcakton se çdo përpjekje për të përcaktuar të ardhmen e Tajvanit me mjete jopaqësore, do të përbënte një shqetësim të madh për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara kanë një angazhim zyrtar për sigurinë e Tajvanit, i cili është më shumë sesa mund të jetë ai për Ukrainën.

Sigurisht që nuk ka asgjë të paqartë në zgjedhjen e kësaj qasjeje. Nga njëra anë, ai akt synonte ta bindte Tajvanin që të mos vepronte në mënyrë provokative ndaj Kinës, i përforcuar nga garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, ndërkohë synohej siguria që kinezët të mbeten të shqetësuar ndaj pasojave të testimit të kësaj paqartësie, siç ndodhi gjatë krizave në Ngushticat e Tajvanit në vitet 1950 (kur Kina i kishte nënvlerësuar gjasat e ndërhyrjes së SHBA-së).

Por edhe në politikën e “paqartësisë strategjike”, Shtetet e Bashkuara kanë një angazhim zyrtar për sigurinë e Tajvanit, që është shumë më e fortë sesa ajo që mund të thuhet për Ukrainën. Sjellja e NATO-s ndaj kësaj të fundit, është një shembull i asaj që ekonomistët e quajnë “stimuli pervers”.

Nga njëra anë, në samitin e Bukureshtit të prillit 2008, aleanca i premtoi Gjeorgjisë dhe Ukrainës se do t’i bashkoheshin NATO-s, gjë që nxiti shqetësimet e Moskës për sigurinë kombëtare (dhe këto shqetësime janë reale, edhe nëse disi të tepruara).

Nga ana tjetër, 14 vjet pas këtij zotimit, NATO nuk ka filluar as të përpunojë kandidaturat e tyre dhe as t’u japë garanci sigurie për këtë periudhë tranzicioni. Prandaj nuk është çudi që ndërhyrjet ushtarake të Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë, ndodhën pas Samitit të Bukureshtit. Me krizën Rusi-Ukrainë po dalin shumë leksione sesi Perëndimi duhet ta shohë Kinën.

*Publikuar filllimisht te Bota.al