Po të kishte Grace Kelly llogari në rrjete sociale sot...

Grace Kelly kishte punë të mirë aty ku e ëndërrojnë shumica sot, në zemër të Hollywood-it. Edhe pse para se të firmoste kontratën me MGM, vuri dy kushte. E para, të vazhdonte të jetonte në banesën e saj të dashur në Manhattan, 200 E. 66th Street, New York dhe jo në ndonjë vilë luksoze me tre kate dhe pishinë. E dyta të punonte edhe në teatër. Nëse do kishte patur Facebook, këtë fakt nuk do e kishte lënë pa përmendur.
Po në Tik-tok? Do kishte shpërndarë video teksa gatuante ndonjë recetë alla princeshash. Si të dukesh e bukur me pak ose aspak grim. Ose do kishte ftuar ndjekësit në teatro, ku do vihej në skenë një nga librat më romantik të kohës.
Grace Kelly nuk ka asnjë gjë të përbashkët me atë filtrin e Instagram që dukesh sikur ke buzë të trasha e lëkurë perfekte. As nuk do dinte ta përdorte aplikacionin “face tune”.
Por dinte truke se si t’i rregullonte flokët për një takim me zonjat e para, të bënte pak makeup, se si të mbante trupin drejt e të buzëqeshte sinqerisht.
Një gjë e them me siguri. Grace Kelly nuk do postonte foto nga palestrat në Instagram. As video duke bërë ushtrime për një bark të sheshtë para plazhit. As video duke bërë vrap nga parku. Nuk besoj që do e kishim parë ndonjëherë me streçe, ose me crop-tops. As me rripa Nike për të mbajtur flokët.
Do krenohej me fëmijët e saj dhe me arritjet e tyre në gjuhët e huaja, me detyrat e saj si princeshë, marrëdhëniet ndërkombëtare, ndonjë marrveshje për mbrojtjen e mjedisit si dhe ekosistemeve në rrezik. Do krenohej me ndërtimin e ndonjë teatri të ri në Monako, ku do mirëpriste talente të rinj e të vjetër.
Ndoshta nuk do kishte fare rrjete sociale, do kishte bërë jetën e saj të princeshës me familjen, oborrtarët dhe delegacionet e huaja. Ndoshta.
*Tiranapost.al.