Nëse Lady Diana do kishte llogari në rrjete sociale sot

S'e di pse më vjen natyrshëm t’i them Princeshë Diana edhe pas ndarjes nga Princi. Diana nuk kishte tipare të bukura, krahasuar me standartin e sotëm të bukurisë. Por, e karakterizonte eleganca... dhe stili... dhe karizma. Nuk kishte buzë të bëra ose mollëza të theksuara, por sy blu dhe këmbë të bukura.
Do kishte shumë ndjekës në rrjete sociale, për këtë jam e sigurt. Më shumë dhe se Kardashians. Admirues por dhe kritikë, të cilët do t’i donte dhe t’i mbështeste njëlloj.
Në Instagram përshembull do kishte plot foto nga Australia. Poste motivuese për nënat single, ato sipërmarrëset, të guximshmet që rrisin fëmijë për Harvard ose Yale. Do kishte dhe foto me veshjet e saj të preferuara, si psh. ajo trikoja me delen e zezë që u komentua për një kohë të gjatë. Ah po! Do kishte plot foto me nipërit dhe mbesat! Pak foto me Kate dhe më shumë me Meghan (ky është gjykimi i mediave britanike).
Po në Facebook? Në Facebook do kishte një nga ato faqet që mund t’i bësh like, dhe pastaj t’i ndjekësh me kërshëri eventet gala, festat në jetimore ose spitale onkologjike. Evente bamirësie, por dhe ngritje fondesh për sipërmarrësit e rinj.
Nuk besoj që do kishte Tik-Tok. Por edhe nëse do e hapte një llogari aty, do postonte video nga javët e modës, ndonjë galeri arti, ose kuzhinë ku gatuhen ëmbëlsira që shoqërojnë çajin. Kulaçe të vegjël, biskota dhe çokollata të zeza.
Shtëpia e saj do ishte krejt elegante dhe mikpritëse. E ngrohtë dhe me stil francez. Këto do i shihnim në intervistat e saj për televizjonet më të shquara sot. Do ftohej tek Jimmy Fallon, Late Night Show, do bënte Carpool Karaoke me James Corden ku do këndonte Beatless ose Celine Dion.
Po të kishte Lady Diana llogari në rrjetet sociale do kishim një model për t’u ndjekur, krejt ndryshe nga modelet e Instagramit sot, do kishim një dele të zezë në 2021-shin.
Nën Lupën e Stela Sallakut/ tiranapost.al