MY TIRANA

Video/ Familja me dy kurorë në Farkë që e gdhiu mëngjesin pas tërmetit në qiell të hapur bëhet me dy shtëpi të reja

Video/ Familja me dy kurorë në Farkë që e gdhiu

Familja e Sadete Koshit në Farkë, 26 Nëntorin e tërmetit tragjik e gdhiu në qiell të hapur. Sot, një vit nga fatkeqësia, dy kurorat e kësaj familjeje, - Sadetja me bashkëshortin e saj dhe Luani me familjen e tij, - gëzojnë secila nga një shtëpi, falë Programit të Rindërtimit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili sëbashku me deputetin e PS, Sadi Vorpsi dhe kreun e Njësisë Administrative Farkë, Ardian Tufa, vizituan këto dy familje, të cilat hynë në shtëpitë e reja, u shpreh se, të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti tragjik do e gëzojnë këtë ditë.

Video/ Familja me dy kurorë në Farkë që e gdhiu

“Dua të garantoj të gjithë të tjerët që pyesin “kur do vijë radha jonë?”: Do bëhen të gjitha shtëpitë! Ka filluar lagjJa “5 Maji”, ku po ngrihen pallatet e para. Sapo filloi edhe Kombinati. Këshilli Bashkiak dha javën e kaluar 200 kontrata për apartamentet në Kombinat, këtë javë 140 të tjera. Do vazhdojmë çdo javë, derisa të gjithë të marrin edhe kontratat e porosisë. Nga Biza e Martaneshit, ku kemi kufirin me Klosin e Burrelin, deri në Ndroq, ku kemi kufirin me Durrësin, nga kilometri 29 në Krrabë, ku kemi kufirin me Elbasanin, deri në Kashar në kufi me Rinasin, do i bëjmë të gjitha shtëpitë në Tiranë. Kjo vlen edhe për bashkitë e tjera. Është vetëm çështje radhe,” u shpreh Veliaj.

E zonja e shtëpisë, Sadetja u shpreh mjaft mirënjohëse për gjithë punën e bërë, jo vetëm në zonën e Farkës, ku prej dekadash banon, por edhe në zonat e tjera të prekura nga tërmeti. “E përshëndesim shumë kryeministrin, ty si kryetar Bashkie. Keni bërë shumë punë! Nuk e di, dielli i ngrohtë shumë, nga ju na ka ardhur! Iu them dhe atyre që janë nëpër çadra, të mos e humbin besimin dhe i uroj të futen sa më shpejt në shtëpinë e re,” tha Sadetja.

Imami i zonës së Farkës tha se fakti që kjo qeveri po i jep çdo kurore nga një shtëpi, tregon se është më pranë popullit. “Më e rëndësishmja është se edhe Kryeministri, edhe kryetari i Bashkisë, është afër popullit. Çdo kurore iu kanë dhënë shtëpinë e vet. Kjo është një kënaqësi, sepse njerëzit që punojnë e tregojnë punën e tyre. Edhe qeveria, edhe ju dukeni te puna që bëni,” tha ai.

Në Njësinë Farkë, nga 157 shtëpi që kanë përfituar nga programi i rindërtimit deri më tani kanë përfunduar në total rreth 110 banesa individuale, ndërsa 20 të tjera janë në rindërtim.

*Tiranapost.al.