Moti

Nesër dita më e ftohtë, priten rritje temperaturash të mërkurën

Nesër dita më e ftohtë, priten rritje temperaturash të

Sipas sinoptikanes Lajda Porja dita e nesërme do të jetë dita më e ftohtë e këtij acari, pasi temperaturat do të zbresin deri në -5 gradë në Tiranë ndërsa në zonat malore deri në -17 gradë Celsius.

Ditën e mërkurë pritet rritje e temperaturave dhe mot i kthjellët deri të premten.

“Temperaturat me ulje janë kryesisht në Qarkun e Dibrës dhe Korçës. Kryeqyteti ka shënuar minus 3 ose 4 gradë, që nuk është ndonjë temperaturë. Tirana edhe nesër me rezerva nuk shkon më shumë se minus 5, ku parashikohet të jetë edhe dita më e ftohtë e këtij acari. Zonat më të ftohta janë Qarku i Elbasanit dhe Beratit, ku priten temperatura deri në minus 8 gradë, ndërsa më problematike janë zonat malore, ku temperaturat minimale e maksimale janë në minus, ku flasim për deri në -17 gradë.

Ka një tërheqje të valës së të ftohtit ditën e mërkurë, ku pritet një rritje e temperaturave, dhe mbeten minus 5-6 në zonat malore. Aktualisht temperaturat janë 10-11 gradë më të ulëta se zakonisht në janar. Pas të mërkurës, deri të premten, pritet që moti të jetë i kthjellët. E premtja parashikohet të sjellë shumë pak reshje dëbore të dobëta në zonat malore. Duhet thënë që janari mbyllet i thatë me reshje shumë të pakta dhe temperatura 2-3 gradë më të ulëta se ç’duhet të jenë”, tha sinoptikania.