Shëndeti

Le të inkurajojmë gjuhën e emocioneve!

Olta Tuholi, Nën Kryetare, Analiza e Grupit në Shqipëri/ Kur të dhëmb “shpirti’ ose “mëndja” është ndryshe nga dhimbja fizike. Trupi apo ajo që prekim është më familjar për ne se sa ajo që nuk shohim. Jemi mësuar të ankohemi me njëri tjetrin për dhimbjet tona fizike dhe shpeshëherë të identifikohemi me dhimbjen apo simptomat e tjetrit duke bërë kështu të mundur që në disa raste edhe ta gjejmë vetë një zgjidhje, qoftë edhe popullore në shtëpi. Duke qënë se gjatë gjithë historikut të civilizimit jemi mësuar të shprehemi për shqetësime në lidhje me dhimbjen fizike, e kundërta ndodh kur vjen momenti për tu shprehur, dhe si rrjedhojë për të kërkuar ndihmë, kur përjetojmë shqetësime emocionale.

Po, është fakt që jemi mësuar me atë që plot krenari e quajmë “edukatën e mjekut”, dhe shkojmë tek doktori menjëherë sapo kemi një të ftohur, madje edhe qortohemi nga shokë apo të afërm kur refuzojmë të bëjmë ndryshe, por kur ora vjen për të shkuar tek psikologu/terapisti apo tek “dokori i mendjes” atëherë hasim në veshë shurdhë dhe sy qorr. Indiferentizimi vesh tiparet e fytyrës së të afërmëve tanë të pasuara ndonjëherë edhe nga pasthirrma hutimi apo habie. “Aha, nuk mendoja që paska shkuar puna deri këtu”, shprehet nje nënë pasi dëgjon vajzën e saj apo një bashkëshort kur dëgjon vendimin e gruas për të kërkuar ndihmë, a thua sikur “këtu” e “aty” të jenë disa hapësira boshe ne ajër, disa tullumbace të fryra që i merr era vetë nëse janë pa litarë.

Pa trokitur ende ne derën e terapistit individi ndjen paragjykim dhe përjashtim dhe nuk e ndjen veten të barabartë me ata të cilët shkojnë tek mjekët “e tjerë” në spital. Dhe i/e pyetur se ku ishte ndërkohë që takon një mik rrugës për në shtëpi përgjigja natyrshëm, si një implus mbrojtës rezulton në gënjeshtër:“ Isha në spital pasi kam mamanë pa qef”.

Në këtë mënyrë jetojmë me muaj, vite pranë atij që e quajmë mikun tonë më të mirë apo  partnerë që mendojmë se i njohim aq shumë pa ditur ndërkohë takimin javor që ata kanë tek terapisti. Ky standart i dyfishtë jetese përbën një nga karakteristikat e para që pacientët sjellin ne zyrë; atë të mos u pranuarit për atë që ata janë. Shpesh ndodh që simptomat që i kanë sjellë ata aty kalojnë në një rëndësi të dytë.

Lumturia si concept mund të marrë kuptime të shumëfshta. Bota moderne ka nxjerrë modele te ndryshme të saj të cilat ne jemi në mënyrë të vazhdueshme duke i introjektuar në zgjedhjet e jetës së përditshme. Përkujdesja apo “higjena” e shëndetit mendor është një ndër këto modele, por si mund të flasim për mirëqënie të shëndetit mendor pa edukuar më parë brezat e rinj, dhe jo vetëm, mbi kontributin e gjithësecilit në këtë process.

Një koleg i imi dikur më ka thënë “Do na duhet te çelim programe specifike psiko – sociale në shkolla për nënat e reja pasi neurozat kanë një origjinë mjaft të hershme”.

Duke reflektuar sot mbi cfarë kolegu im ka thënë, arrij të kuptoj sadopak kendvështimin ndaj shëndetit mendor midis kulturës tonë dhe atyre me të zhvilluara. Pra, le të inkurajojmë vajtjen tek terapisti dhe psikologu ashtu siç kurajojme vajtjen tek mjeku. “Mund të të kaloj në të ftohur kronike nëse nuk shkon tek doktori”, i themi shpesh të afërmve tanë. Të njëjtin inkurajim mund t'i japim edhe atyre që janë në kërkim të shërbimit të “mendjes”. Bëje sa më shpejt vizitën tek terapisti pasi edhe mendja edhe shpirti rrezikojnë të marrin të ftohur kronike nëse nuk marrin shërbimin e duhur./ Blogu - Shëndeti ynë i mendjes/ Copyright Tiranapost.al