Zelensky: Ukraina nuk ka asnjë lidhje me rrëzimin e avionit të Prigozhin
Ukraina nuk ka asnjë lidhje me vdekjen e raportuar të shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Presidenti Volodymyr Zelensky, në një prononcim për gazetarët sot në Kiev, në Ditën e Pavarësisë, u shpreh se është e qartë për të gjithë botën mbarë se kush fshihet pas këtij aksidenti.
"Ne nuk jemi të përfshirë në këtë situatë, kjo është e sigurt. Unë mendoj se të gjithë janë të vetëdijshëm se kush është i përfshirë,” u tha Zelensky gazetarëve.
Udhëheqësi i Ukrainës nuk e humbi rastin as për të bërë një batutë për vdekjen e një prej protagonistëve të luftimeve më brutale ndaj vendit tij:
“Kur Ukraina u bëri thirrje vendeve të botës në lidhje me avionët, ne nuk e kishim parasysh këtë”.
Nga ana tjetër Presidenti rus Vladimir Putin nuk e përmendi fare ngjarjen gjatë fjalës së tij në një Samit ndërkombëtar, por mediat thonë se pas aksidentit ajror ka shumë të ngjarë të fshihet agjencia ruse e inteligjencës FSB.
Ndërkohë, anëtarët dhe mbështetësit e Wagner në të gjithë Rusinë po i bëjnë homazhe Prigozhin, duke vendosur lule në faltoret e përkohshme për shefin e Wagner.