Lajme nga Bota

Video/ Kaosi i orëve të fundit në Roterdam. Një djalë hyn në spital dhe vret njerëz

Video/ Kaosi i orëve të fundit në Roterdam. Një djalë

Të shtënat me armë i detyruan disa pacientë dhe mjekë që të largoheshin nga Qendra Mjekësore Erasmus në qendër të Roterdamit, duke përfshirë disa që u nxorën jashtë ndërtesës në shtretër.

Shefi i policisë Fred Westerbeke u tha gazetarëve se vrasësi ishte një student 32-vjeçar nga Roterdami. Ai u arrestua në spital me armë zjarri. Identiteti i tij nuk u bë i ditur dhe motivi i të shtënave është ende nën hetim.

Ai fillimisht qëlloi dhe vrau një grua 39-vjeçare dhe plagosi rëndë vajzën e saj 14-vjeçare në një apartament afër vendit ku jetonte. Policia tha se vajza vdiq më vonë nga plagët e marra.

Sulmuesi më pas shkoi në Qendrën Mjekësore Erasmus aty pranë ku qëlloi dhe vrau një burrë 46-vjeçar, profesor në spitalin akademik. Ai gjithashtu shkëmbeu zjarr me policinë.

“Ishte një ditë e zezë”, tha kryetari i bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb.

Mbreti holandez Willem-Alexander dhe mbretëresha Maxima shprehën hidhërimin e tyre në rrjetet sociale. “Zemrat tona janë me familjen dhe miqtë e viktimave të dhunës këtë pasdite në Roterdam”, shkruan çifti mbretëror. “Ne mendojmë gjithashtu për të gjithë ata që kanë jetuar në frikë gjatë këtyre veprimeve të tmerrshme,” shtuan ata.

Qendra Mjekësore Erasmus apeloi në mediat sociale që njerëzit të mos shkonin në spital, por më vonë tha se po rihapej.