Lajme nga Bota

Ukraina ngre akuzën serioze në takimin e NATO-s: Rusia kërkon të depozitojë armë bërthamore në Krime

Ukraina ngre akuzën serioze në takimin e NATO-s: Rusia kërkon

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Andrii Taran ka ngitur një akuzë tejet serioze kundër Rusisë, teksa ka deklaruar se Moska po planifikon që të depozitojë një arsenal me armë bërthamore në rajonin e Krimesë e cila u aneksua prej Rusisë në vitin 2014.

Taran ka shtuar gjithashtu se Moska mund të targetojë edhe burimet ujore të Ukrainës me anë të Krimesë. Akuzat janë ngritur në takimin e jashtëzakonshëm me Ministrat e Mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s për të diskutuar në lidhje me “provokimet ushtarake të Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës”.

“Infrastruktura e Krimesë po përgatitet për të shërbyer si depozitë e armëve bërthamore. Vetë prezenca e armëve nukleare në këtë peninsul mund të krijojë një shumëllojshmëri problemesh komplekse politike, ligjore dhe morale.”- ka thënë Taran.

Megjithatë, “Reuters” raporton se në bazë të burimeve të saj, Taran nuk ka ofruar asnjë provë për këtë akuzë shumë serioze, por është bazuar vetëm në “të dhënat e inteligjencës ukrainase”. Në rast se këto informacione janë të sakta, një akt i tillë do të përbënte shtimin e rrezikut të një lufte botërore në nivele të paprecedenta që pas rënies të Murit të Berlinit, që "de-facto" shënoi rënien e bllokut lindor.

Kujtojmë se ka qenë shtimi i prezencës ushtarake ruse në kufirin lindor të Ukrainës me 110.000 trupa që ka krijuar këtë situatë tensioni dhe përplasjeje diplomatike mes Moskës dhe perëndimit.

Tiranapost.al