Tre ish-presidentët dalin vullnetarë: Do e bëjmë vaksinën publikisht për të provuar se është e sigurt

Ish-Presidentët Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton kanë dalë vullnetarë për të bërë publikisht vaksinën anti Covid.
Ata janë shprehur se mund ta bëjnë këtë për të promovuar besimin e publikut për sigurinë e vaksinës sapo Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve të autorizojë një të tillë.
Tre ish-presidentët shprehen se një fushatë ndërgjegjësimi për të promovuar besimin në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës do të ishte një mesazh i fuqishëm ndërsa zyrtarët amerikanë të shëndetit publik përpiqen të bindin publikun të marrë vaksinën.
Freddy Ford, shefi i stafit të Bush ka thënë për CNN se Presidenti i 43-të kishte kontaktuar Dr. Anthony Faucin, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe eksperti kryesor i sëmundjeve infektive të vendit për të parë se si ai mund të ndihmojë në promovimin e vaksinës.
Po ashtu sekretari i shtypit i Clintonit është shprehur se edhe ai do të ishte i gatshëm të merrte vaksinën në një mjedis publik për ta promovuar atë.
"Presidenti Clinton patjetër do të marrë një vaksinë sa më shpejt dhe do ta bëjë atë në një mjedis publik nëse do të ndihmojë në nxitjen e të gjithë amerikanëve të bëjnë të njëjtën gjë," tha Angel Urena .
Obama, në një intervistë me SiriusXM Joe Madison tha se nëse Fauci thotë se një vaksinë kundër koronavirusit është e sigurt, ai e beson atë.
"Te njerëz si Anthony Fauci, të cilin unë e njoh dhe kam punuar me të, kam besim të plotë," tha Obama.
"Pra, nëse Anthony Fauci më thotë se kjo vaksinë është e sigurt unë do ta marr. Unë mund të përfundoj duke e bërë atë në TV ose ta filmoj, vetëm që njerëzit të dinë që unë i besoj shkencës”, shton ai.
*Artikulli i marrë nga CNN. Përkthyer dhe përshtatur për Tiranapost.al.