Lajme nga Bota

Të Gjelbrit gjermanë zgjedhin kryetaren grua, si kandidate për Kancelarinë

Të Gjelbrit gjermanë zgjedhin kryetaren grua, si kandidate për

Se cila do të ishte zgjedhja e partisë së Gjelbër si kandidat për Kancelarinë ka qenë një nga temat kryesore të politikës europiane, teksa ky formacion politik ndodhet në një pozitë të favorshme në sondazhet e opinionit publik për të marrë drejtimin e Gjermanisë.

Mes dy krerëve të partisë Robert Habeck dhe Annalena Baerbock, ambjentalistët gjermanë kanë zgjedhur këtë të fundit, duke krijuar kështu mundësinë që pasardhësja e kancelares Merkel të jetë një tjetër grua. Vendimi për të përzgjedhur 40-vjeçaren është marrë në mbledhjen e kryesisë ku Habeck i dha kandidimin duke e cilësuar si një politikane “përfaqësuese të diversitetit, vizionit dhe së ardhmes”.

Pa qejfmbetje, Habeck ka deklaruar se do të bëjë maksimumin për fitoren e bashkë-kryetares së partisë së tij duke thënë se “Skena është e gjitha e saj” (profili i dy liderëve nga tiranapost.al).

Kujtojmë se Habeck shihej si kandidat me më shumë eksperiencë në qeverisje, teksa ka qenë edhe ministër në një “land”, por përzgjedhja e Baerbock ka ardhur me qëllim ofrimin e një kandidateje më konsensuale dhe më frymëzuese.

Partia e Gjelbër aktualisht kuotohet në nivelin 23% në sondazhet parazgjedhore dhe në rast se trendi i vitit të fundit vazhdon, ajo do të jetë partia e parë e së majtës duke kaluar kështu Social-Demokratët për herë të parë.

Tiranapost.al