Lajme nga Bota

Tarifë dhe rezervim për të hyrë në Venecia. Çfarë duhet të dini

Tarifë dhe rezervim për të hyrë në Venecia.

Autoritetet e Venecias kanë njoftuar se nga 16 janari 2023 vizitorët do të duhet të rezervojnë dhe paguajnë një tarifë për të hyrë në qytetin historik.

Sistemi i biletave, për të cilin qyteti thotë se është i pari i këtij lloji në botë, shpreson të lehtësojë problemet e mbiturizmit.

Kush duhet të rezervojë një biletë për të vizituar Venecia-n?

Udhëtarët që planifikojnë të vizitojnë qytetin historik të Venecias do të duhet të regjistrojnë vizitën e tyre.

Vizitorët që vijnë me transport publik dhe privat duhet të rezervojnë paraprakisht.

Ata që vizitojnë ishujt përreth si Burano dhe Murano do të duhet gjithashtu të regjistrohen dhe të paguajnë.

Disa udhëtarë ditorë përjashtohen nga pagesa e tarifës së hyrjes, megjithëse do t'u duhet ende të rezervojnë. Këtu përfshihen banorët e rajonit Veneto, studentët dhe ata që vizitojnë anëtarët e familjes në qytet.

Këshilli vendor ka theksuar se nuk do të ketë kufi për numrin e vizitorëve, por vetëm një rritje e tarifës së hyrjes nëse arrihet një numër i caktuar vizitorësh në një ditë të caktuar.

Tarifë dhe rezervim për të hyrë në Venecia.

Si mund të rezervojnë vizitorët bileta për në Venecia?

Një sistem rezervimi online në shumë gjuhë do të jetë i disponueshëm në vjeshtë për vizitorët që të rezervojnë paraprakisht udhëtimin e tyre në Venecia.

Pas rezervimit, vizitorët do të marrin një kod QR që vepron si bileta e tyre dhe duhet t'u tregohet kontrollorëve të biletave.

Për ata që vijnë me transport publik, mund të ekzistojë mundësia për të blerë lejen e hyrjes në të njëjtën kohë me biletën e udhëtimit.

Nëse ky shërbim nuk është i disponueshëm, operatorët e transportit publik do të bëjnë njoftime për pasagjerët duke u kujtuar atyre kërkesën për të rezervuar.

Sa do të duhet të paguajnë vizitorët për të vizituar Venecia-n?

Kostoja e biletave do të variojë nga 3 deri në 10 euro në varësi të sezonit.

Në periudha veçanërisht të ngarkuara , vizitorëve do t'u kërkohet të paguajnë shuma më të larta. Kjo do të ndodhë kur numri i vizitorëve që prenotojnë për të mbërritur në qytet kalon një prag të caktuar, i cili ende nuk është bërë publik.