Superjahti 700 milionë dollarësh i Vladimir Putin mund të sekuestrohet nga marina italiane
Një super jaht që mban flamurin e Ishujve Kajman është ankoruar në portin e Marina di Carrara, në Itali dhe prej ditësh është në fokusin e Guardia di Finanza-s pasi dyshohet se është në pronësi të Vladimir Putinit.
I gjatë 140 metra dhe me vlerë monetare të paktën 700 milionë dollarë superjahti Shehrazade nuk është sekuestruar ende pasi nuk është vërtetuar në pronësi të kujt është. Sipas një hetimi Fondacioni Anti-Korrupsion, i krijuar nga Navalny jahti është në pronësi të një kompanie anonime nga Ishujt Marshall dhe askush nuk e ka pretenduar ende. Pra, është në fakt jahti më i madh në botë, pronari i të cilit nuk dihet.
Si e vërteton fondacioni se i përket Vladimir Putinit, njeriut më të fshehtë dhe më të pasur në planet? Sipas tyre një gjë është e sigurtë rreth Putinit: ai nuk i mban kurrë asetet nën emrin e tij.
Prandaj ata e kanë përqëndruar hetimin e tyre në atë se kush e menaxhon dhe paguan për jahtin. Lista e ekuipazhit të superjahtit me emrat e të gjithë punonjësve nga kapiteni te drejtuesit e sigurisë përbëhet pothuajse tërësisht nga rusë. Pasaportat ruse nuk janë e vetmja gjë që kanë të përbashkët. Ata gjithashtu punojnë për FSO, Shërbimi Federal Mbrojtës i Federatës Ruse, një agjenci shtetërore përgjegjëse për sigurinë dhe mirëqenien personale të Vladimir Putin. Ata ofrojnë mbrojtje fizike, duke vepruar si truproja, oficerë sigurie etj. Ata janë gjithashtu përgjegjës për të gjitha rezidencat zyrtare të Putinit: i ndërtojnë, i mbrojnë, merren me nevojat personale të Putinit, sigurimin e ushqimeve, mirëmbajtjen e përgjithshme.
Fondacioni pohon edhe se ka kontaktuar me një nga anëtarët e ekuipazhit të Scheherezade, i cili konfirmoi se jahti është me të vërtetë i Putinit.