Lajme nga Bota

Strategjitë e liderëve botërorë për të luftuar skepticizmin ndaj vaksinave

Strategjitë e liderëve botërorë për të luftuar

Me shtimin e protestave kundër vaksinimit të detyruar liderët e të gjithë globit po përdorin strategji të ndryshme për të luftuar skepticizmin ndaj marrjes së vaksinave anti-COVID për të plotësuar objektivat e imunizimit masiv të popullsive me qëllim rikthimin në normalitet.

Qasjen më radikale e ka pasur si gjithmonë presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte i cili në një shfaqje televizive ka thënë se do të ndalojë të pavaksinuarit që të dalin nga banesat e tyre. Presidenti, i cili është famëkeq për përdorimin e fushatave të vrasjes kundër narko-trafikantëve është shprehur kështu: “Në rast se nuk duan të vaksinohen, nuk duhet që të lejohen që të dalin nga shtëpitë e tyre. Kur shumë njerëz thonë se nuk ka ligj për këtë punë, por a duhet të pres për një ligj kur e di që shumë njerëz do të vdesin?”

Me përhapjen masive të variantit “delta”, kemi parë sesi shumë qeveri po sanksionojnë përdorimin e certifikatave të vaksinimit për të hyrë në ambjente të mbyllura publike si bare, restorante, muzeume, teatro, kinema etj. Në Danimarkë vendimi i qeverisë për këtë certifikatë nuk hasi rezistencë apo protesta, ndërkohë që në Itali dhe Francë propozimi ka bërë që qindra mijëra njerëz në dhjetëra qytete të protestojnë. Në Londër, Sidni dhe në Athinë ka pasur edhe përplasje të forcave të rendit me protestuesit.

Në SHBA, presidenti Biden duke e pasur ligjërisht të pamundur që të imponojë certifikata vaksinimi (për shkak të rendit të fortë kushtetues) u ka bërë thirrje sipërmarrjeve të mëdha që të bashkëpunojnë në fushatën e vaksinimit. Deri tani, shumë koorporata të mëdha si Google, Facebook, MGM Casinos dhe Walmart i janë përgjigjur thirrjes së tij dhe kanë bërë vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë punonjësit e tyre.

“Tanimë shumë njerëz po vdesin, ose po shohin dikë që ata duan të vdesë. Me lirinë vjen dhe përgjegjësia. Ju lutem ushtroni gjykimin tuaj. Vaksinohuni për veten tuaj, për njerëzit që ju doni, por edhe për vendin tuaj”- ka thënë Biden nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar është zgjedhur që të ketë thirrje të vazhdueshme për vaksinimin e të gjithëve, ndërkohë që plani i Johnson për “green pass” duket se nuk do të pranohet nga parlamenti, teksa më shumë se 80 deputetë konservatorë kanë deklaruar se nuk do të mbështesin kryeministrin në këtë iniciativë.

Në terma afatgjatë, mbetet për t’u parë se cila strategji do të jetë më efektive në përballimin e skepticizmit përkundrejt vaksinimit.

Përshtatur nga “The Guardian”/ tiranapost.al