Lajme nga Bota

Sipas një studimi miliona njerëz po humbin jetën nga infeksionet rezistente ndaj ilaçeve

Sipas një studimi miliona njerëz po humbin jetën nga infeksionet

Më shumë se 1.2 milionë njerëz vdiqën në mbarë botën në vitin 2019 nga infeksionet e shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve, sipas studimit më të madh të bërë për këtë çështje deri më sot.

Vendet më të varfra janë më të prekura, por rezistenca antimikrobike kërcënon shëndetin e të gjithëve, thotë raporti i cili rekomandon investime urgjente në barna të reja dhe përdorim më të mençur të atyre aktuale për t'u mbrojtur.

Përdorimi i tepërt i antibiotikëve vitet e fundit për infeksionet e parëndësishme nënkupton që ata bëhen më pak efektivë kundër infeksioneve serioze.

Njerëzit po vdesin nga infeksione të zakonshme, të trajtueshme më parë, sepse bakteret që i shkaktojnë ato janë bërë rezistente ndaj trajtimit.

Zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar kohët e fundit paralajmëruan se rezistenca antimikrobike (AMR) ishte një "pandemi e fshehur" që mund të shfaqej në vazhdën e Covid-19 nëse antibiotikët nuk jepen me përgjegjësi.

Sipas një studimi miliona njerëz po humbin jetën nga infeksionet
Testi laboratorik i rezistencës antimikrobike

Vlerësimi i vdekjeve globale nga AMR, i publikuar në Lancet, bazohet në një analizë të 204 vendeve nga një ekip studiuesish ndërkombëtarë, të udhëhequr nga Universiteti i Uashingtonit, SHBA.

Shumica e vdekjeve nga AMR u shkaktuan nga infeksione të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, si pneumonia dhe infeksionet e qarkullimit të gjakut, të cilat mund të çojnë në sepsë.

MRSA (Staphylocoçus aureus rezistent ndaj meticilinës) ishte veçanërisht vdekjeprurëse, ndërsa disa baktere të tjera ishin gjithashtu të lidhura me nivele të larta të rezistencës ndaj ilaçeve.

Duke përdorur të dhënat e pacientëve nga spitalet, studimet dhe burime të tjera të të dhënave, studiuesit thonë se fëmijët e vegjël janë në rrezik më të madh, me rreth një në pesë vdekje të lidhura me AMR që janë në mesin e fëmijëve nën pesë vjeç.

Prof Chris Murray, nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit, tha se të dhënat e reja zbuluan shkallën e vërtetë të rezistencës antimikrobike në mbarë botën dhe ishte një sinjal i qartë se nevojiteshin veprime të menjëhershme "nëse duam të qëndrojmë përpara në garën kundër rezistencës antimikrobike.

Ekspertë të tjerë thonë se gjurmimi më i mirë i niveleve të rezistencës në vende dhe rajone të ndryshme është thelbësor dhe se shpenzimet globale për trajtimin e AMR duhet të rriten në nivelet që janë për sëmundje të tjera.