Lajme nga Bota

Si mund të ketë distancim në aeroportin më të ngarkuar në Europë? Sugjerimi nga shefi i Heathrow

Si mund të ketë distancim në aeroportin më të ngarkuar

Masa e distancimit social në aeroporte është fizikisht e pamundur të zbatohet. Këtë ka paralajmëruar shefi i Heathrow në Britani, John Holand-Kaye në një intervistë së fundmi i cili shton se kjo masë është absurde dhe që mendojnë ta aplikojnë vendet europiane.

Ai thotë se distanca ëshë e pamundur të ruhet në të gjitha format e transportit publik, pale më në fushën e aviacionit.

Holand-Kaye është shefi ekzekutiv i aeroportit më të ngarkuar të Europës i cili thotë se në vend të kësaj mase, nëse do të lejohen dhe hapen udhëtimet, duhet të vendosen ekipe mjekësore dhe të gjithë pasagjerët të mbajnë maska me detyrim.

Si mund të ketë distancim në aeroportin më të ngarkuar

Sipas tij problemi nuk është në ulëset e avionit, por është një rrugë e gjatë deri atje. Është pritja, është ecja në terminale, ndalesat, pritja e valixheve, aty ku mblidhen me qindra njerëz. Ai sugjeron që derisa të dalë vaksina, ekipet mjekësore të vendosen në aeroporte që të bëjnë kontrolle, të vendosen maska me detyrim dhe të tregohet kujdes maksimal.

‘Nëse të kontrollohet temperatura në terminal dhe rezulton që ke temperaturë, nuk do të të lejohet të fluturosh, është e thjeshtë’, thotë ai.

Këtë sugjerim të tij e mbështet edhe shefi i Ryanair Michael O’Leary i cili thotë se kushdo që ka temperaturë mbi 38 gradë do ti refuzohet hyrja.

Ndërkohë, EasyJet ka sugjeruar se mund të lerë vende bosh në avionë me më pak njerëz, por paralajmëron rritje të kostove.

Europa nuk ka ende nje plan të qartë se kur do hapen fluturimet për turistët dhe si mund të garantohet siguria. Është folur për pasaporta shëndetësore, por OBSH ka vënë në dyshim saktësinë e tyre, po ashtu edhe mungesën e garancisë se një person që ka kaluar virusin nuk infektohet më.