Lajme nga Bota

SHBA sanksionon ish-kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, Fadil Novalliq

SHBA sanksionon ish-kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, Fadil Novalliq

Ish-Kryeministri i Bosnje e Hercegovinës, Fadil Novalliq, dhe Sllobodan Stanoviq, biznesmen i lidhur me liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, janë personat e fundit që Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar.

Më 3 tetor, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit, tha se këta dy persona janë sanksionuar për shkak të minimit të institucioneve demokratike “për përfitime personale dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre të patronazhit”.

“Ne do të vazhdojmë të shënjestrojnë personat që destabilizojnë rajonin, por edhe mbështetësit e tyre, duke i mbajtur përgjegjës”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E.Nelson.

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, kryeministri Fadil Novalliq, ka keqpërdorur të dhënat e pensionistëve për përfitimin e partisë së tij, duke shkelur ligjet e Bosnjë e Hercegovinës.

Ndërkaq, biznesmeni Sllobodan Stankoviq, një prej njerëzve më të pasur në Bosnjë dhe pronar i një firme inxhinierike, sipas SHBA-së është i lidhur me korrupsion në sektorin e ndërtimit.

“Shumica e projekteve të mëdha ndërtimore shpesh i jepen Stankoviqit pa garë të hapur dhe të drejtë. Shumica e pasurisë së tij vjen nga paratë publike”, tha SHBA-ja.

Uashingtoni tha se të gjitha pronat e personave të sanksionuar më 3 tetor do të bllokohen dhe po ashtu do të ndalohet bërja e biznesit me ta nga individët në SHBA.