Lajme nga Bota

SHBA ndërhyn në konfliktin e Lindjes së Mesme/ Blinken telefonon Netanjahun dhe i kërkon uljen e tensioneve

SHBA ndërhyn në konfliktin e Lindjes së Mesme/ Blinken telefonon

I gjithë planeti i ka kthyer sytë nga Izraeli ku dy ditët e fundit konfliktet që nisën si përplasje mes policisë dhe besimtarëve myslimanë, u përshkallëzua në shkëmbime zjarri dhe raketash mes ushtrisë izraelit dhe militantëve të Hamas. Për pasojë dhjetëra njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Pasi Këshilli i Sigurisë në OKB, nuk arriti të ulte tensionin dhe kryeministri izrealit Benjamin Netanjahu paralajmëroi vazhdimin e fushatës së bombardimit, Sekretari amerikan i Shtetit me porosi të presidentit Biden ka telefonuar kreun e qeverisë hebreje dhe i ka bërë thirrje për armëpushim dhe ndaljen e dhunës.

Sipas informacioneve të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, përgjatë bashkëbisedimit Blinken ka njohur të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, por i ka thënë se dialogu në këtë moment është zgjidhja e duhur e krizës. “Pritshmëria dhe shpresa jonë është që konflikti do të mbarojë së shpejti, por Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes”- shkruhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Nuk dihet nëse ndërhyrja amerikane do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes, por aktualisht një tjetër natë e keqe po përjetohet në Jerusalem dhe Tel-Aviv, teksa raketat vazhdojnë të duken në qiell dhe sirenat e bombardimeve nuk rreshtin.

Tiranapost.al