Lajme nga Bota

Senati amerikan miraton paketën tre të ndihmës: Si do ndahen 1.9 trilion $ dhe sa marrin të papunët

Senati amerikan miraton paketën tre të ndihmës: Si do ndahen 1.9

Senati amerikan ka kaluar paketën e tretë financiare për të përballuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit tek qytetarët dhe qeveritë. Paketa 1.9 trilion dollarë kaloi me 50 vota pro dhe 49 kundër, dhe tani do të paraqitet në dhomën e Përfaqësuesve ku pritet të miratohet.

Plani i ndihmës është përkrahur nga presidenti Joe Biden si një mënyrë për të ndihmuar qytetarët e prekur. Por Partia e tij Demokratike bëri kompromis për disa çështje përpara votimit.

Pati diskutime të gjata mbi përfitimin federal të papunësisë, të cilin demokratët ranë dakord ta ulnin nga 400 në 300 dollarë në javë. Përfitimi do të zgjatet deri në 6 shtator sipas planit.

Paketa parashikon çeqe stimuluese me vlerë 1,400 dollarë për t'iu dërguar shumicës së amerikanëve.

Kriza më e rëndë e shëndetit publik të Amerikës në një shekull, ka lënë gati 523,000 njerëz të vdekur dhe 29 milion të infektuar, me një normë aktuale të papunësisë prej 6,2%.

I ashtuquajturi ‘Plani Amerikan i Shpëtimit’ ndan mes të tjerash 350 miliard dollarë për qeveritë shtetërore dhe lokale, dhe rreth 130 miliard dollarë për shkollat. Ai gjithashtu siguron 49 miliardë dollarë për testimin dhe hulumtimin e zgjeruar ndaj Covid-19, si dhe 14 miliardë dollarë për shpërndarjen e vaksinave.

Çeqet stimuluese me 1,400 dollarë do të ndërpriten për ata me të ardhura më të larta se 75,000 dollarë për një person dhe çiftet që fitojnë më shumë se 150,000 dollarë.

Zgjatja e ndihmës së papunësisë deri në shtator ka bërë që më shumë se katër milion amerikanë të papunë afatgjatë të mos mbesin pa para. Ndihma e mëparshme do të skadonte në mes të këtij muaji.

*Tiranapost.al.