Schumacher i gjallë falë këmbënguljes së gruas së tij! Ç'ka ndodhur me jetën e kampionit të F1 pas aksidentit
Michael Schumacher i mbijetoi aksidentit të rëndë duke bërë ski në vitin 2013 falë gruas së tij Corinna, e cila donte me çdo kusht që bashkëshorti i saj të mbijetonte. Këtë ka treguar ish shefi i ekipit të Ferrarit. Jean Todt i cili tani është President i FIA -s ka treguar në një intervistë se partnerja e legjendës së Formula 1 ka luajtur rolin vendimtar për jetën dhe përmirësimin e ngadaltë të Schumacher.
Schumacher 52 vjeç, nuk është parë në publik që kur pësoi lëndimin e rëndë në kokë, pas aksidentit me ski në vitin 2013, me djalin e tij 14 vjeçar Micki, i cili si i ati tashmë është shofer i F1. Todt sot 75 vjeç, thotë se Schumacher, i cili fitoi 91 gara të Grand Prix para se të tërhiqej nga Formula 1 në vitin 2012, mbijetoi vetëm falë punës së mjekëve dhe përkushtimit mbresëlënës të Corinnas, gruas së tij 52 vjeçare.
Schumacher pësoi një dëmtim të rëndë në kokë më 29 dhjetor 2013 në Alpet Franceze dhe gjendja e tij shëndetësore thuhet të jetë përmirësuar disi, por nuk dihet shumë për të për shkak të qëndrimit larg nga vëmendja e mediave.
Në intervistën për Bild, Todt ka thënë: 'Kam kaluar shumë kohë me Corinna-n që kur Michael pësoi aksidentin e rëndë më 29 dhjetor 2013. Ajo është një grua e mrekullueshme dhe e përkushtuar për familjen. Ajo nuk e priste atë ngjarje. Ndodhi papritur dhe nuk kishte zgjidhje tjetër. Por ajo u mundua vërtet shumë, ajo u përpoq me çdo mënyrë që bashkëshorti i saj të qëndronte gjallë. Unë kam besim tek ajo, edhe ajo më beson mua. Falë punës së mjekëve të tij dhe bashkëpunimit të Corinna, Michael mbijetoi, ndonëse me pasoja. Shpresojmë që gjërat do të përmirësohen, ngadalë por do të bëhet më mirë. Familja Schumacher është shumë e veçantë për ne të F1. Kam shkruar një histori të mrekullueshme me Michael, me të kam një marrëdhënie aq të mirë. Michael dhe djali i tij Mick kanë të njëjtin gjak dhe kanë të njëjtat qëllime, por kushtet me të cilat ata u rritën dhe u përballën janë krejt të ndryshme’.
Përditësimet mbi gjendjen e Michael Schumacher i cili fitoi pesë tituj botërorë për Ferrarin dhe dy të parët e tij me Benetton, kanë qenë të pakta që nga aksidenti në vitin 2013. Në vitin 2019, familja njoftoi në ditëlindjen e tij të 50 -të, duke siguruar miliona fansat e tij se po bëjnë gjithçka që mundet për ta ndihmuar atë të shërohet.
Vitin e kaluar u tha se ai do t’i nënshtrohej një operacioni, por që u anulua për shkak të pandemisë së Covid 19.
Në shtator specialisti i neurologjisë në Cyrih, Erich Riederer tha se nuk beson që legjenda e garave do të shërohet plotësisht.
Ai ka treguar: 'Unë mendoj se ai është në një gjendje vegjetative, që do të thotë se ai është zgjuar, por nuk përgjigjet. Ai merr frymë, zemra e tij rreh, ai ndoshta mund të ulet dhe të bëjë hapa si një fëmijë, por jo më shumë. Unë mendoj se ky është maksimumi që mund të bëjë ai. A ka ndonjë shans për ta parë atë siç ishte para aksidentit të tij? Unë nuk mendoj kështu’.
Artikulli i Daily Mail, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.