Rusia nis stërvitjet me raketa balistike dhe lundruese

Presidenti Vladimir Putin ka nisur stërvitjet ruse me raketa balistike dhe lundruese, tha agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘RIA Novosti’.
Putin dhe udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko i ndoqën stërvitjet nga qendra në Kremlin, raportoi RIA, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë të premten se forcat dhe objektet e Forcave Ajrore, Qarkut Ushtarak Jugor, Forcave Raketore Strategjike, Flotës Veriore dhe Detit të Zi do të përfshihen në stërvitje.
“Stërvitja e forcave të parandalimit strategjik ishte planifikuar më herët për të kontrolluar gatishmërinë e trupave të komandës ushtarake, ekuipazheve luftarake të nisjes, ekuipazheve të anijeve luftarake dhe raketave strategjike për të kryer detyrat e tyre, si dhe besueshmërinë e forcën e armëve strategjike bërthamore dhe jobërthamore”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Putin tha të premten se "po zhvillohet një stërvitje e fazës aktive (e stërvitjeve ushtarake)".