Rusia do të shesë vilën e pushimeve të Zelenskit në Krime dhe ja ç'plan ka për paratë

Rusia njofton se është shtetëzuar shtëpia e pushimit të Zelenskit në Detin e Zi të Krimesë.
Shteti do ta shesë dhe me ato para do të financojë vijimin e pushtimit në Ukrainë.
Krimeja është aneksuar nga Rusia në 2014-ën dhe është nën juridiksionin e Moskës.
Vila e Zelenskit nuk është e vetmja pronë që do të shitet. Janë shtetëzuar edhe 57 prona të tjera që u përkasin manjatëve ukrainas dhe personazheve të njohur.
“Krimeja do të rifitojë të drejtat për një sërë pronash duke përfshirë një ndërtesë në Simferopol që i përket Olena dhe Volodymyr Zelenskit", tha Sergey Aksyonov, duke iu referuar shtëpisë së presidentit që është e regjistruar në emër të gruas së tij.
Shtëpia u ble nga çifti në 2013-ën, por nuk arritën të qëndronin kurrë aty për shkak të nisjes së tensioneve dhe pastaj aneksimit të Krimesë.
Mediat shtetërore ruse vlerësuan se prona vlen 800,000 dollarë.