Rikthehen shqetësimet për AstraZeneca-n/ Sllovakia e nxjerr nga qarkullimi pas vdekjes së një 47-vjeçareje
Ministria sllovake e Shëndetësisë ka lajmëruar ditën e sotme se ka pezulluar përdorimin e vaksinës anti-COVID të kompanisë AstraZeneca, me përjashtim të qytetarëve të cilët kanë marrë dozën e parë dhe janë në pritje të së dytës. Ky vendimi u mor pasi u vërtetua se vdekja e javës së kaluar të një qytetareje 47-vjeçare ishte e lidhur direkt me vaksinën që ajo kishte marrë.
Kujtojmë se përgjatë muajit prill pati një debat ndërkombëtar në lidhje me sigurinë e vaksinës së zhvilluar në Universitetin e Oksfordit, por certifikimi i saj nga ana e Agjencisë Europiane të Medikamenteve dha sigurinë për shtetet që të vazhdojnë me procedurat e vaksinimit. Megjithatë, Norvegjia dhe Danimarka pas studimeve të tyre të pavarura vendosën të mos përdorin vaksinat të cilat u përdorën për më shumë se 14 milion qytetarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky vendim i Sllovakisë, një nga shteteve më të goditur nga pandemia në kontinent dhe me më pak vaksina e vonon dhe më shumë rikthimin në normalitet, një çështje që mbetet për t’u adresuar nga Brukseli që ka premtuar dërgimin e vaksinave për të gjitha shtetet anëtarë që u duhen.
Tiranapost.al