Lajme nga Bota

Rënia e Boris Johnson! Disa nga 'skandalet' e qeverisjes së tij

Rënia e Boris Johnson! Disa nga 'skandalet' e qeverisjes së

Si fillim duhet të kujtojmë se ç’ka është skandal për Britaninë, nuk do përfillej në vende me probleme me demokracinë. Por kjo është Britania e Madhe dhe atje asnjë lider nuk e ka të lehtë apo të mundur jetgjatësinë përballë shkeljeve.

Pse iku Boris Johnson?

Boris Johnson do të largohet pasi shumë ministra në Kabinetin e tij qeveritar u dorëhoqën, duke thënë se nuk kishin më besim te Johnson. Ai u përpoq t’i zëvendësonte, por sipas BBC askush brenda partisë nuk ka pranuar të sakrifikohej për një lider që tashmë shihet si i “shkurorëzuar”

Për çfarë e akuzojnë?

Boris Johnson e akuzojnë për shkelje të shumta, nga mbajtja e festave ne mjediset qeveritare gjatë pandemisë deri te mashtrimi i Mbretëreshës Elizabet për të mbyllur parlamentin gjatë Brexit.

Çfarë thonë mediat?

Mediat e huaja raportojnë se Johnson do të japë dorëheqjen në një deklaratë për publikun më vonë dhe do të qendrojë si kryeministrër i Britanisë së Madhe deri në Vjeshtë, kur të zgjidhet lideri i ri i Konservatorëve, që do të jetë dhe Kryeministri i ri i vendit

Kush do ta zëvëndsojë?

Pas dorëqeqjes së Johnson do të fillojë procesi i Partisë Konservatore për zgjedhjen e një lideri të ri të partisë. Kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga populli; Johnson është kryeministër sepse ai është kreu i partisë më të madhe në Dhomën e Komunave. Konservatorët do të jenë ende partia më e madhe edhe nëse Johnson largohet, kështu që kreu i ri i partisë do të bëhet kryeministër. Kandidatët për lider të Partisë Konservatore kanë nevojë për mbështetjen e të paktën tetë ligjvënësve. Nëse ka më shumë se dy kandidatë, ligjvënësit e partisë konservatore mbajnë disa raunde votimesh për të ulur numrin e kandidatëve për udhëheqje në dy. Më pas anëtarët e partisë konservatore në mbarë vendin votojnë (me postë!) mes dy finalistëve. Fituesi bëhet lideri i partisë – dhe kryeministër.

Disa nga akuzat për Johnson:

Shtyrja e paligjshme e Parlamentit

Kritikët e Johnson e kanë akuzuar shpesh kryeministrin për shkelje të rregullave kur i leverdiste- si për shembull kur ai vendosi t'i kërkonte Mbretëreshës të shtynte - ose të mbyllte - Parlamentin për pesë javë në kulmin e një krize politike mbi Brexit.

Monarkja e vulosi kërkesën në përputhje me detyrën e saj për të qëndruar jashtë politikës.

Por kur Gjykata e Lartë zbuloi se kërkesa ishte e paligjshme, ngriti pyetjen e pakëndshme nëse Mbretëresha kishte shkelur ligjin. Vendimi çoi në akuza se qeveria e Johnson mashtroi qëllimisht monarken si pjesë e strategjisë për të siguruar Brexit.

Johnson u detyrua të kërkonte personalisht falje për turpërimin e Mbretëreshës.

Rinovimi i banesës

Një nga skandalet e para me të cilat u përball Johnson ishte një akuzë për korrupsion pasi mesazhet në WhatsApp zbuluan se ai i kishte kërkuar një donatori të Partisë Konservatore fonde për të rinovuar rezidencën e tij në Downing Street. Mediat britanike të lajmeve raportuan se puna kushtoi rreth 200,000 £ (280,000 dollarë).

Johnson nuk i raportoi donacionet dhe si rezultat, Partia Konservatore u gjobit me 17,800 £ nga Komisioni Zgjedhor në dhjetor të vitit të kaluar.

Skandali i lobimit të Owen Paterson

Vitin e kaluar, Johnson u përpoq të detyronte deputetët konservatorë të votonin në favor të përmbysjes së pezullimit të një deputeti konservator të tij.

Owen Paterson, një mbështetës me ndikim konservator dhe ish-ministër i kabinetit, ishte përballur me një pezullim 30-ditor pasi u akuzua për një shkelje të rregullave të lobimit.

Pas një reagimi të ashpër, Johnson u kthye dhe Paterson përfundimisht u largua si deputet.

Partigate

Johnson u gjobit nga Policia Metropolitane e Londrës për pjesëmarrje në një festë në ambientet qeveritare, duke e bërë atë kryeministrin e parë të Mbretërisë së Bashkuar në histori që zbulohet se ka shkelur ligjin në detyrë. Sunak, i cili dha dorëheqjen të martën, u gjobit gjithashtu për pjesëmarrje në të njëjtën ngjarje.

Trajtimi i skandalit nga Johnson ishte veçanërisht i gabuar, me Downing Street që fillimisht mohoi se kishte ndonjë festë, më pas tha se nuk dinte për to dhe më fund pretendoi se kishte marrë pjesë në to sepse besonte se ishin evente pune.

Akuzat për sjellje të pahijshme të Pincher

Kaskada e dorëheqjeve të kësaj jave u ndez nga zbulimet se Johnson emëroi Chris Pincher në qeverinë e tij, pavarësisht se kishte ditur për akuzat e kaluara për sjellje të pahijshme seksuale.