Lajme nga Bota

Qeveria gjermane kërkon më shumë fuqi ligjore për masat anti-Covid: Propozimet për bllokim, nga lëvizja tek shkollat

Qeveria gjermane kërkon më shumë fuqi ligjore për masat

Qeveria gjermane është në proces të marrjes më shumë kontroll ndaj shteteve federale në luftën kundër pandemisë së koronavirusit. Me propozimin e një ligji të ri, rregullat anti-Covid nuk do të merren më nga shtetet federale por vetëm nga qeveria.

Konkretisht, ligji kombëtar për kontrollin e infeksioneve i jep fuqi qeverisë të marrë masa në shkallë kombëtare dhe mediat gjermane shkruajnë se po kërkohet të vendosen rregulla të ashpra për shkak të frikës nga vala e tretë e pandemisë.

Për momentin, kufizimet vendosen mes kancelares Merkel që përfaqëson qeverinë federale dhe krerëve të 16 shteteve gjermane. Ata mblidhen çdo 4 javë për të dikustuar mbi situatën e Covid dhe masat e reja që imponohen. Në javët e fundit shumë shtete kanë vendosur vetë masat, por më se shumti duke i lehtësuar ato.

Kjo ka shtyrë qeverinë të ndjekë një rrugë më të centralizuar. Merkel tha gjatë mbledhjes së fundit se Berlini, më i rëndësishmi në aspektin e masave anti-Covid që ka dhe frenat e urgjencës në dorë, është treguar e vonuar me masat, duke pasur parasysh situatën e rënduar nga pandemia.

Ligji me ndryshimet e reja do duhet të marrë shumicën prej dy të tretave të votave në parlament dhe nuk dihet ende se kur do të votohet. Pritet që këtë të premte ligji të prezantohet në parlament dhe të bëhen diskutimet e para. Sipas mediave gjermane, masat më të ashpërsuara pritet të vendosen nga e mërkura e ardhshme.

Në kundërshtim me disa krerë shtetesh që kërkojnë lehtësim të masave, virologët thonë se duhet një tjetër bllokim kombëtar pasi po përhapet vala e koronavirusit me variantin e ri britanik.

Propozimet konkrete të qeverisë së Merkel janë këto:

• Në zonat e goditura rëndë, ora e ndalimit të vendoset midis 21:00 dhe 05:00 të mëngjesit, me përjashtim të urgjencave mjekësore, kujdesit për kafshët dhe atyre që largohen nga shtëpia e tyre për punë.

• Dyqanet jo-thelbësore dhe vendet kulturore do të duhet të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa mbledhjet private do të lejohen vetëm në një shtëpi me një anëtar nga një familje tjetër.

• Ligji gjithashtu do të detyronte shkollat t'i kthehen mësimit virtual nëse shkalla e incidencës 7-ditore tejkalon 200 raste për 100,000 njerëz.

• Kabineti miratoi gjithashtu një rregull të ri që detyron punëdhënësit të sigurojnë një test Covidi çdo javë për personat nuk janë në gjendje të punojnë nga shtëpia.

*Tiranapost.al.