Putin akuzon Perëndimin për kërcënim bërthamor: Kujdes, se unë s`bëj bllofin
Ishte planifikuar që ta mbante dje fjalimin, por Putin e shtyu për sot. Për 19 minuta, ka folur në lidhje me luftën në Ukrainë, por edhe për perëndimin, duke treguar muskujt dhe kërcënuar me armët bërthamore. Një fjalim që mediat e huaja e kanë konsideruar “delirant”. Putin akuzon Perëndimin për kërcënim bërthamor dhe thotë se ai nuk bën bllofin.
“Perëndimi ka shkuar përtej kufijve të agresionit kundër Rusisë. Janë ata që na shantazhojnë për përdorimin e armëve atomike. Unë i them Perëndimit: ne kemi kaq shumë armë me të cilat duhet të përgjigjemi. Dhe ne do të përdorim çdo burim për të mbrojtur popullin tonë”, tha Putin.
Ky fjalim vjen në një kohë që po dukej sikur agresioni rus në Ukrainë, po tërhiqej.
Putin vijon t`i qëndrojë idesë së tij për referendumet në zonat e pushtuara Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.
Referendumet pritet të nisin të premten e ardhshme.
Në to, qytetarët rus do duhet të votojnë nëse do qëndrojnë në anën ruse apo ukrainase.
Ideja e referendumeve po kundërshtohet fuqishëm dhe cilësohet si e paligjshme nga Perëndimi.
Emmanuel Macron tha: “Rusia tani duhet të kuptojë se nuk mund të imponojë asnjë vullnet me mjete ushtarake, edhe nëse shoqërohet në mënyrë cinike me referendume false, në territoret e bombarduara dhe të pushtuara.”
Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu këmbënguli se rezultatet e referendumit në Donbass nuk do të konsiderohen legjitime.
“Rusia duhet të tërheqë trupat e saj. Ukraina ka çdo të drejtë të mbrojë integritetin dhe sovranitetin e vendit dhe demokracinë. Ne mbështesim Ukrainën”, tha Scholz.
Në Twitter, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg nga Norvegjia dënoi gjithashtu referendumet në Donbass, duke akuzuar Putinin për përshkallëzim të mëtejshëm të luftës dhe tensioneve me Ukrainën.