Lajme nga Bota

Protesta e punonjësve të transportit publik paralizon trafikun në Athinë

Protesta e punonjësve të transportit publik paralizon trafikun në

Është paralizuar trafiku publik në kryeqytetin grek të Athinës ku më shumë se 2 milion banorë e përdorin atë çdo ditë. Bllokimi ka ardhur si pasojë e një greve 24-orëshe që është paralajmëruar nga punonjësit e transportit publik që kanë dalë në protestë kundër ndryshimeve të propozuara nga qeveria Mitsotakis për Kodin e Punës.

Sipas sindikatave greke që janë famëkeqe për radikalizmin dhe aksionin e tyre të protestave në rrugë, ligji i ri kufizon të drejtat e punëtorëve dhe përbën rrezik për mundësitë e qëndrimit në punë, veçanërisht pas krizës të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.

Me bllokimin e metrove, autobusave dhe anijeve, dhjetëra mijëra qytetarë nuk kanë arritur të shkojnë në punë, kjo edhe për shkak të bllokimit të trafikut nga dalja masive e automjeteve të atyre që zakonisht preferojnë transportin publik.

Sipas raportimit të mediave greke rreth 6500 punëtorë janë mbledhur përpara Parlamentit Helen duke mbajtur flamuj të kuq dhe me pankarta që shkruajnë “Ne nuk do të bëhemi skllevër të shekullit XXI”.

Nga ana e saj, qeveria ka thënë se ndryshimet në Kodin e Punës janë të domosdoshme për të përballuar krizën aktuale dhe për të përshtatur ekonominë greke me kërkesat e së ardhmes.

“E vetmja gjë që bën ligji i ri është që i jep mundësi punonjësve dhe të punësuarve lirinë që të rregullojnë si do të menaxhojnë vendin e tyre të punës”- ka thënë Ministri i Zhvillimit Adonis Georgiadis.

Tiranapost.al