Lajme nga Bota

Prokurorët italianë kërkojnë dënim me 6 vjet burg për ish-kryeministrin Berluskoni

Prokurorët italianë kërkojnë dënim me 6 vjet burg
Prokurorët e Milanos të mërkurën kërkuan që ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni të dënohej me gjashtë vjet burg nën dyshimin se u kishte dhënë ryshfet dëshmitarëve në një rast prostitucioni me një të mitur në vitin 2013, shkruan VOA.

Zoti Berluskoni akuzohet se ka paguar 24 persona, kryesisht të rinj të ftuar në festat e tij të mbrëmjes, për të gënjyer në një gjyq të mëparshëm, ku ai u akuzua se kishte paguar për marrëdhënie seksuale me një kërcimtare 17-vjeçare marokene në një klub nate.

Skandali mbi të ashtuquajturat festat “Bunga Bunga” kontribuoi në largimin e zotit Berluskoni nga posti i kryeministrit në vitin 2011, duke shënuar fundin e qeverisë së tij të katërt.

Silvio Berluskoni, udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë Forca Italia, u shpall i pafajshëm në atë rast dhe ai u deklarua i pafajshëm në gjyqin pasues të ryshfetit.

Avokati i zotit Berluskoni, Federico Cecconi, tha se ai nuk ishte i befasuar nga kërkesa e prokurorëve për burg dhe ai ishte i bindur se klienti i tij do të shpallej i pafajshëm.

"Ne besojmë se nuk është bërë asnjë krim", u tha ai gazetarëve.

Prokurorët kërkuan gjithashtu dënime nga një deri në gjashtë vjet për 27 të pandehur të tjerë në këtë rast.