Lajme nga Bota

Po sikur Universi të mos ketë pasur kurrë një fillim?

Po sikur Universi të mos ketë pasur kurrë një fillim?

Nga Paul Sutter

Në fillim, kishte…Por ndoshta nuk ka pasur asnjëherë një fillim. Ndoshta Universi ynë ka ekzistuar gjithmonë, dhe një teori e re e gravitetit kuantik, zbulon se si mund të funksionojë.“Realiteti ka aq shumë gjëra, saqë shumica e njerëzve do t’i lidhnin me fanta-shkencën apo edhe me fantazinë”-thotë Bruno Bento, fizikant që studion natyrën e kohës në Universitetin e Liverpulit në Britaninë e Madhe

Në punën e tij, ai përdori një teori të re të gravitetit kuantik, të quajtur teoria e grupeve kauzale, në të cilën hapësira dhe koha ndahen në pjesë të veçanta të hapësirë-kohës.

Sipas kësaj teorie, në një nivel, ekziston një njësi themelore e hapësirë-kohës.

Bento dhe bashkëpunëtorët e tij, e përdorën këtë qasje të diktuar nga shkaku për të eksploruar fillimet e Universit. Ata zbuluan se ka të ngjarë që Universi të mos ketë një fillim,se ai ka ekzistuar gjithmonë në të kaluarën e pafundme, dhe se vetëm kohët e fundit ka evoluar në atë që ne e quajmë Big Bang.

Një kuant i gravitetit

Graviteti kuantik është ndoshta problemi më zhgënjyes me të cilin përballet fizika moderne. Ne kemi dy teori jashtëzakonisht efektive të universit:fizika kuantike dhe relativiteti i përgjithshëm. Fizika kuantike ka prodhuar një përshkrim të suksesshëm për3 nga 4 forcat themelore të natyrës (elektromagnetizmin, forcën e dobët dhe forcën e fortë) deri në shkallët mikroskopike. Nga ana tjetër, Relativiteti i Përgjithshëm është përshkrimi më i fuqishëm dhe më i plotë i gravitetit i krijuar ndonjëherë.

Por me gjithë pikat e tij të forta, Teoria e Relativitetit të Përgjithshëm është e paplotë. Në të paktën dy vende të veçanta në Univers, matematika e relativitetit të përgjithshëm bie poshtë, duke mos arritur të japë rezultate të besueshme:në qendrat e vrimave të zeza dhe në fillim të Universit.

Këto rajone quhen “zona të veçanta”, të cilat janë pika në hapësirë-kohë, dhe ku ligjet tona aktuale të fizikës bien poshtë. Gjithsesi ato janë shenja paralajmëruese matematikore, që Teoria e Relativitetit të Përgjithshëm po pengohet mbi vetveten. Brenda të dyja këtyre “zonave të veçanta”, graviteti bëhet tepër i fortë në shkallë shumë të vogla gjatësie.

Si i tillë, për të zgjidhur misteret e këtyre 2 zonave, fizikantët kanë nevojë për një përshkrim mikroskopik të gravitetit të fortë, i quajtur ndryshe edhe si një teori kuantike e gravitetit. Dhe atje ka shumë pretendentë, përfshirë teorinë e vargut dhe gravitetin kuantik të lakuar.

Ndërkohë, ka edhe një qasje tjetër që rishkruan plotësisht kuptimin tonë mbi hapësirën dhe kohën.

Teoria e elementëve të shkakut

Në të gjitha teoritë aktuale të fizikës, hapësira dhe koha janë të vazhdueshme. Ato formojnë një “pëlhurë të lëmuar” e cila qëndron në themel të gjithë realitetit. Në vazhdimësinë e hapësirës dhe kohës, dy pika mund të gjenden shumë afër me njëra-tjetrën në hapësirë,??dhe dy ngjarje mund të ndodhin afërsisht në të njëjtën kohë.

Por një qasje tjetër, e quajtur teoria e elementëve shkakësor, e imagjinon hapësirën-kohën si një seri copash të veçanta, apo si “atome” të hapësirë-kohës. Kjo teori do të vendoste kufij më të rreptë për atë se sa afër mund të jenë ngjarjet në hapësirë ??dhe kohë, pasi ato nuk mund të jenë më afër se madhësia e “atomit”.

Për shembull, nëse shihni ekranin e kompjuterit tuaj gjatë kohës që lexoni këtë artikull, gjithçka duket e qetë dhe e vazhdueshme. Por nëse do të shihnit të njëjtin ekran përmes një xhami zmadhues, mund të shihni pikselat që ndajnë hapësirën, dhe do të shihni se është e pamundur që të afroni dy imazhe në ekranin tuaj më afër sesa një piksel të vetëm.

Kjo teori e emocionoi shumë Benton. “Ajo përpiqet jo vetëm të jetë sa më themelore që është e mundur, pori jep një rol qendror kohës dhe asaj që do të thotë fizikisht kalimi i kohës, sa fizike është e kaluara juaj, dhe nëse e ardhmja ekziston tashmë apo jo”-u shpreh Bento për Live Science. Hapësira-kohë përbëhet nga copëza diskrete apo “atome” të hapësirë-kohës, të ngjashme me pikselat në një imazh kompjuterik.

Fillimi i kohës

Teoria e elementëve shkakësorë ka pasoja të rëndësishme mbi natyrën e kohës. “Një pjesë e madhe e filozofisë së kësaj teorie, është se kalimi i kohës është diçka fizike, dhe nuk duhet t’i atribuohet një lloj iluzioni të shfaqur apo diçkaje që ndodh brenda trurit tonë dhe që na bën të mendojmë se koha kalon. Në vetvete ky kalim është një shfaqje e teorisë fizike. Pra në teorinë e elementëve shkakësorë, një grup elementësh të tillë do të bëhet gjithnjë e më i madh”- thekson Bento.

Qasja e kësaj teorie shmang me kujdes problemin e veçantisë së Big Bang-ut,pasi në teori veçoritë nuk mund të ekzistojnë. Është e pamundur që materia të ngjishet deri në pika pafundësisht të vogla. Ato mund të bëhen jo më të vogla se madhësia e një atomi hapësirë-kohë.

Pra si mund të duket fillimi i universit tonë pa një veçanti si Big Bangu? Në këtë rast Bento dhe bashkëpunëtori i tij, Stav Zalel, një student i diplomuar në Kolegjin Mbretëror në Londër, eksploruan atë që ka për të thënë teoria e elementëve shkakësorë për momentet fillestare të Universit.

“Në formulimin dhe dinamikën e bashkësisë shkakësore origjinale, një grup i tillë elementësh rritet nga asgjëja në Universin që ne shohim sot. Në studimin tonë nuk ka pasur në fillim një Big Bang, pasi elementët shkakësor kanë ekzistuar gjithmonë”- thekson Bento.

Studimi i tyre nënkupton se Universi mund të mos ketë pasur një fillim. Por se ai ka ekzistuar gjithmonë. Ajo që ne e perceptojmë si Big Bang (Shpërthimi i Madh), mund të ketë qenë vetëm një moment i veçantë në evolucionin e këtij grupimi elementësh shkakësorë gjithnjë ekzistues, por jo një fillim i vërtetë.

*Artikull i publikuar tek Bota.al