Lajme nga Bota

Partia e Viktor Orban në prag përjashtimi nga PPE

Partia e Viktor Orban në prag përjashtimi nga PPE

Eurodeputetët e Partisë Popullore Europiane kanë ndërmarrë hapa decizivë për përjashtimin e partisë të kryeministrit hungarez Viktor Orban nga ky formacion politik. Përpjekja ka nisur tre vjet më parë kur Orban mbajti një qëndrim shumë të rreptë kundër emigrantëve si dhe bëri disa ndryshime kushtetuese të cilat u panë si autokratike nga Brukseli.

Megjithatë, procedura e përjashtimit ka qenë e komplikuar për shkak se shumë eurodeputetë të kësaj partie nuk donin të humbisnin mbështetjen e kolegëve të tyre hungarezë në Parlamentin Europian.

Megjithatë, sipas raportimeve të POLITICO, lideri i PPE Manfred Weber u takua me liderët kombëtare të partive respektive për të organizuar dëbimin përfundimtar të Fidesz nga grupi i qendrës së djathtë në PE. Për ta zyrtarizuar largimin do të nevojiten 2/3 e votave të eurodeputetëve, që sipas raportimeve mediatike Weber i ka siguruar.

Ende nuk është vendosur data kur do të zhvillohet votimi, por besohet se do të mbahet përgjatë javës së ardhshme dhe me gjasë muaji që vjen do të gjejë 11 eurodeputët hungarezë pa një shtëpi politike në Bruksel. Është e mundshme që të besuarit e Orban t’i bashkohen grupit më radikal të djathtë ku ndodhet dhe partia e Marine Le Pen, grupi “ID” (emërtim që simbolizon identitetin europian).

Tiranapost.al