Papa Françesku ndalon në një dyqan muzike në Romë, por kapet nga gazetari

Papa Françesku është ankuar prej kohësh që nuk mund të ecë nëpër qytet pa u vënë re, siç bënte para se të bëhej Papë. Megjithatë, pasi u kap nga kamera duke bërë një vizitë të paparalajmëruar në një dyqan diskografik në Romë këtë javë, në një letër drejtuar gazetarit fotografues duket se e ka ruajtur sensin e humorit.
Françesku i shkruajti gazetarit të Vatikanit, i cili mbrëmjen e së martës u gjend në vendin dhe në kohën e duhur, kur Papa doli nga Vatikani për të bekuar dyqanin e sapo rinovuar Stereo Sound pranë Panteonit.
Javier Martinez-Brocal, drejtor i agjencisë së lajmeve “Rome Reports”, filmoi Papën duke dalë nga dyqani, pamjet u bënë virale dhe madje u publikuan në gazetën e Vatikanit, “L'Osservatore Romano”.
Martinez-Brocal më pas iu drejtua Papës me një letër ku i shpjegonte se nuk ishte një paparac, dhe i vinte keq që Françesku nuk mund të lëvizte më pa u vënë re, por kjo histori ishte një dozë shumë e nevojshme, një lajm i bukur në një botë të përfshirë nga tragjeditë.
"Nuk do ta mohoj se ishte (fat i keq) që pasi morën të gjitha masat paraprake, ishte një gazetar që priste dikë në linjën e taksisë," u shkruan Françesku në përgjigjen për gazetarin. Por ai shtoi: "Nuk mund të humbisni sensin tuaj të humorit".
Françesku më pas përsëriti se ajo që i mungon më shumë tani që është Papë është pamundësia për të bërë shëtitje, siç bënte dikur në Buenos Aires. Ish-kardinali Jorge Mario Bergoglio ishte i njohur për përdorimin e transportit publik nëpër kryeqytetin argjentinas, duke iu shmangur makinave private që përdorin kardinalët e tjerë për të vizituar famullitë. Ai u bë papë në vitin 2013.
Françesku pranoi se Martinez-Brocal thjesht po bënte punën e tij si gazetar kur regjistroi ngjarjen. "Faleminderit që bëtë detyrën tuaj, edhe nëse kjo e vuri në vështirësi Papën," shkruajti ai me humor.
Pronarët e dyqanit Stereo Sound thane për ‘Associated Press’ se Françesku kishte shkuar rreth orës 19:00, pa lajmëruar. Ai u kishte thënë atyre gjatë një takimi të mëparshëm në Vatikan se do të shkonte për ta vizituar ambjentin.
“Ai hyri në dyqan dhe ishte një takim i mrekullueshëm. Dhe siç premtoi, ai e bekoi dyqanin”, tha pronarja e dyqanit Tiziana Esposito.
Bashkëpronari Danilo Genio tha se Françesku ishte klient prej kohësh, kishte shkuar sa herë që ishte në Romë për takime në Vatikan kur ishte në detyrën e priftit, kryepeshkopit dhe më pas kardinalit të Buenos Aires.
"Sa herë vinte në Romë për të shkuar në Vatikan, së pari ndalonte këtu për të blerë disa dhurata," tha ai.
Françesku, i cili u rrit duke dëgjuar opera në radio dhe i pëlqen tango, Mozart dhe Wagner, nuk bleu asgjë këtë herë. Por pronarët e dyqanit i dhanë një CD me muzikë klasike.