Lajme nga Bota

Oklahoma ndalon abortin me ligj. 3 rastet e vetme kur e lejon

Oklahoma ndalon abortin me ligj. 3 rastet e vetme kur e lejon

Guvernatori i Oklahomas Kevin Stitt firmosi të mërkurën ligjin e ndalimit më të rreptë të abortit në vend, duke e bërë shtetin të parin që i jep fund abortit.

Ligji hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit dhe ndalon të gjitha abortet me disa përjashtime.

“Unë u premtova banorëve të Oklahomas se si guvernator do të nënshkruaja çdo pjesë të legjislacionit pro-jetës që do të vinte në tryezën time dhe jam krenar që e mbaj atë premtim sot”, tha republikani Stitt. “Që nga momenti kur jeta fillon në ngjizje, ne si qenie njerëzore kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur jetën e atij foshnje dhe jetën e nënës. Kjo është ajo që unë besoj dhe kjo është ajo që besojnë shumica e njerëzve në Oklahoma”, shtoi ai.

“Ndikimi do të jetë katastrofik për banorët e Oklahomas”, tha Elizabeth Nash, një analiste e politikave shtetërore për të drejtat e abortit që mbështet Institutin Guttmacher.

Republikanët kanë kërkuar vazhdimisht të zvogëlojnë të drejtat e abortit.

Në cilat raste do të lejohet?

Përjashtimet e vetme janë kur bëhet fjalë për të shpëtuar jetën e një gruaje shtatzënë ose nëse shtatzënia është rezultat i përdhunimit ose incestit. Sigurisht edhe në raste të shtatzënive jashtë mitre.