Lajme nga Bota

OBSH:Kushtet globale favorizojnë shfaqjen e varianteve të reja të Covid

OBSH:Kushtet globale favorizojnë shfaqjen e varianteve të reja të
Kushtet janë favorizuese që Covid-19 të ndryshojë në më shumë variante të reja dhe është e rrezikshme të supozohet se pandemia po i afrohet fundit, paralajmëroi sot zyrtari më i lartë i OBSH-së.

Duke iu drejtuar bordit ekzekutiv të OBSH-së, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se që kur varianti Omicron u identifikua nëntë javë më parë, më shumë se 80 milionë raste Covid jajnë raportuar në OBSH, më shumë se sa ishin raportuar në të gjithë vitin 2020.

Javën e kaluar, mesatarisht 100 raste u raportuan në OBSH çdo tre sekonda, shtoi Tedros, dhe dikush humbi jetën nga virusi çdo 12 sekonda.

Rastet kanë qenë në rritje, megjithatë Tedros vuri në dukje se “shpërthimi” në raste nuk ishte shoqëruar me rritje të vdekjeve.

“Është e rrezikshme të supozohet se Omicron do të jetë varianti i fundit ose se jemi në fund të lojës,” paralajmëroi Tedros. “Përkundrazi, globalisht kushtet janë ideale që të shfaqen më shumë variante. Për të ndryshuar rrjedhën e pandemisë, ne duhet të ndryshojmë kushtet që e nxisin atë.”

Ai shtoi se bota nuk mund “të luajë kumar me një virus evolucionin e të cilit ne nuk mund ta kontrollojmë apo parashikojmë”.

Javën e kaluar, një tjetër zyrtar i lartë i OBSH-së paralajmëroi se edhe pse përhapja e rasteve të Omicron po ngadalësohej në disa vende, normat e larta të infeksionit në mbarë botën mund të çojnë në variante të reja duke lejuar që virusi të ndryshojë formë.