Lajme nga Bota

OBSH: Është joreale të mendosh se pandemia do zhduket në fund të vitit

OBSH: Është joreale të mendosh se pandemia do zhduket në

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është joreale të presësh që pandemia e Covid-19 të zhduket deri në fund të këtij viti.

Nga konferenca e një dite më parë, drejtori i programit të emergjencave shëndetësore në OBSH, doktor Michael Ryan tha:

"Unë mendoj se është shumë e parakohshme dhe joreale të mendosh se do të zhduket ky virus deri në fund të vitit".

Por ka një gjë mund të ndodhë nëse tregohemi të zgjuar, shton ai:

"Por unë mendoj se ajo që ne mundemi, nëse tregohemi të zgjuar, mund ti japim fund shtrimeve në spital, vdekjeve dhe tragjedive të lidhura me këtë pandemi".

Duke u ndalur tek skema e Covax, për shpërndarjen e vaksinave, doktor Ryan shprehu shqetësimin e tij:

"Ne ende përballemi me një sfidë të madhe në shpërndarjen e vaksinave në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për ata që kanë më shumë nevojë për to në të gjithë botën. Ne jemi në një pozitë shumë më të mirë se sa ishim. Por asgjë nuk është e garantuar".

COVAX është një program i udhëhequr nga OBSH, Gavi (Aleanca e Vaksinave) dhe Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI) që synon shpërndarjen e vaksinave COVID-19 nëpër botë.

Ndërkaq 256 vaksina kandidate janë ende duke u zhvilluar në të gjithë botën - 74 prej tyre janë në fazën e provave klinike - në vendet si Gjermani, Kinë, Rusi, Britani dhe Shtetet e Bashkuara.

*Tiranapost.al.