Lajme nga Bota

Njohja e patentave shqiptare në Itali/ Ambasada: Marrëveshja ka hyrë në fuqi në 12 korrik, por duhen zgjidhur disa teknikalitete

Njohja e patentave shqiptare në Itali/ Ambasada: Marrëveshja ka

Ambasada e Republikës së Italisë në Tiranë ka komentuar njohjen e patentave shqiptare në shtetin fqinj, pas marrëveshjes bilaterale mes qeverisë sonë dhe Romës. Ambasada konfirmon se marrëveshja ka hyrë në fuqi në datën 12 korrik, por ende duhet punuar për zgjidhjene disa problemeve teknike, në përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve që presin të konvertojnë lejet e tyre të drejtimit.

"Lidhur me Marrëveshjen mbi patentat, e cila ka hyrë në fuqi më 12 korrik, ju informojmë se janë duke u kryer verifikime për të zgjidhur disa probleme teknike për të bërë të mundur që të interesuarit të mund të paraqesin sa më shpejt kërkesë për konvertimin e patentave të tyre"- shkruhet në njoftimin e ambasadës në rrjetet sociale.

Kujtojmë se marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit u konkretizua në 11 mars dhe do të jetë e vlefshme për një periudhë 5-vjeçare, kohë kur palët mund të rinegociojnë apo të shtyjnë afatin e vlefshmërisë së marrëveshjes.

Tanimë shtetasit shqiptarë do të mund të konvertojnë patentat e tyre pa pasur nevojë që të ri-ndërrmarrin prova teorike dhe praktike.

Tiranapost.al